Robert Hur do të veprojë si një prokuror pothuajse i pavarur dhe të shqyrtojë nëse ndonjë person ka shkelur ligjin
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland emëroi një këshilltar special për të hetuar dokumentet e klasifikuara, të cilat u gjetën në ish-zyrën e presidentit Joe Biden.
Hetimi vjen mes një serë kritikash që ka bërë më herët presidenti amerikan në lidhje me trajtimin e materialeve të klasifikuara nga paraardhësi i tij republikan dhe mund të hedhë një hije mbi Biden ndërsa të dy përgatiten për një rikandidim të mundshëm zgjedhor në 2024-ën.
Robert Hur, i cili shërbeu si prokurori më i lartë federal në Maryland nën administratën e Trump, do të veprojë si një prokuror pothuajse i pavarur për të përcaktuar nëse të dhënat e klasifikuara nga koha e Biden si zëvendëspresident ishin ruajtur në mënyrë të parregullt në rezidencën e tij në Delaware dhe një institut kërkimi në Uashington.
Ai gjithashtu do të shqyrtojë nëse ndonjë person apo entitet ka shkelur ligjin. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se disa materiale u gjetën në një garazh në shtëpinë e Biden dhe disa në një dhomë ngjitur. Presidenti amerikan ka bërë të ditur se është i gatshëm të bashkëpunojë me Arkivat dhe Departamentin Amerikan të Drejtësisë
“Ne kemi besim se një rishikim i plotë do të tregojë se këto dokumente ishin vendosur gabimisht pa dashje dhe presidenti dhe avokatët e tij vepruan menjëherë pas zbulimit të këtij gabimi,” tha në një deklaratë avokati i Shtëpisë së Bardhë.
Biden dhe Trump tani përballen secili me hetime nga prokurorët specialë, të cilët zakonisht emërohen në çështje të ndjeshme politikisht. Por rastet e tyre nuk janë të njëjta, thonë ekspertët ligjorë.
Shtëpia e Bardhë tha se avokatët e Biden gjetën një numër të vogël dokumentesh të klasifikuara dhe i dorëzuan ato pas zbulimit. Trump rezistoi duke e bërë këtë derisa një kërkim i FBI-së në gushtin e vitit të kaluar dolën rreth 100 dokumente të klasifikuara, duke ngritur pikëpyetje nëse Trump ose stafi i tij e penguan hetimin.
Si një president aktual, Biden përballet me më pak rrezik ligjor se Trump. Ai ka liri të gjerë për të deklasifikuar dokumentet dhe ka të ngjarë të jetë i mbrojtur, pasi Departamenti i Drejtësisë ka një politikë të gjatë për të mos ngritur kallëzime penale kundër tij. Trump, nga ana tjetër, i humbi ato mbrojtje kur mandati i tij përfundoi në janar 2021.