I riu Elvin K. nga Shkupi dyshohet të jetë vrasësi që sot, në parkingun e Qendrës Tregtare “Mavrovasja” ekzekutoi me një plumb një qytetar, shkruan gazeta KOHA. I dyshuari, para ekzekutimit, me forcë i mori një kuti tashmë të ndjerit, ndërsa arriti të arratiset me një veturë të llojit Citroen me targa të Belgjikës. Por, pas pak minutave, vetura u gjend në Gazi Babë e braktisur. MPB gjithashtu njofton se janë arrestuar dy persona në lidhje me vrasjen, ndërsa shtojnë se në kërkim është edhe një i dyshuar tjetër, i cili ndodhet në arrati. Zyrtarë policor njoftojnë se ekipet e shumta të policisë, po e kërkojnë personin Elvin K. nga Shkupi, i cili dyshohet të jetë dorasi kryesor i vrasjes së sotme.
“Sot (20.08.2024) në SPB Shkup është raportuar për një krim për vrasje në parkingun përballë qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, me ç’rast një person është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në vend. Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe kontrolluar disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë. Konkretisht, në zonën e Komunës së Çairit, është vërejtur një automjet pasagjerësh, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga vetura kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit. Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria. Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili është në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij. Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se në periudhën në vijim do të ketë prani të shtuar policore në disa pjesë të qytetit të Shkupit për zbardhjen e plotë të rastit”, thonë nga MPB. (koha.mk)