Pa u mbushur 24 orë nga ekzekutimi i një 47-vjeçari në Shkodër, Policia lokale ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes që i mori jetën shtetasit Prek Tonaj.
Krimi i rëndë u regjistrua në fshatin Grudë të Njësisë Administrative Rrethina. Në pranga ka rënë shtetasi Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re, i cili ishte vetëm 4 vjeç kur iu vra babai rreth 26 vite më parë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, “në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në ambientet e një lokali, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 47-vjeçari Prekë Tonaj, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re”.
Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
NGJARJA
Shtetasi Prek Tonaj u qëllua me automatik duke mbetur i vdekur në vend. Ndaj tij janë qëlluar të paktën 5 plumba, duke i shkak tuar vdekjen e menjëhershme.
Zyrtari i Ujësjellësit ndodhej në një lokal në fshatin Grudë të Njësisë Rrethina në Shkodër, kur papritur, rreth orës 19:15, një person i maskuar është futur brenda në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të 47-vjeçarit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë duke nisur hetimet paraprake.
Sipas burimeve, dyshohet se vrasja e 47-vjeçarit, i cili punonte në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime në Shkodër, ka ardhur për shkak të gjakmarrjes. Menjëherë pas vrasjes, të dyshuarit kryesorë nga Policia ishin familja Kësolla nga Dukagjini, por nuk u përjashtua edhe ndonjë pistë tjetër, sepse familja Tonaj ka pasur dy gjaqe.
Autori kur është futur në lokal mësohet se u ka thënë personave të tjerë, me të cilët po qëndronte viktima “mos lëvizni se ju vrava” dhe iu ka kërkuar atyre që të spostohen.
Më pas Prek Tonajt i është drejtuar me fjalët: “A e di se na ke borxh” dhe ka qëlluar ndaj tij duke i marrë jetën.
Pasi qëlloi për vdekje shënjestrën, autori i maskuar u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga Policia gjatë ditës së djeshme.



