Shpërthim në një furrë buke në Shkup. Ngjarja ka ndodhur në orën 3 të mëngjesit, në rrugën kryesore “Gjorçe Petrov”, ndërsa furra e bukës ku ka ndodhur shpërthimi është pronë e familjes së nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski. Pas lokalizimit të zjarrit Misajllovski ka shkruar në profilin e tij në fejsbuk, ku ka informuar se dyqani i vogël është i familjes së tij në të cilën punojnë me dekada ndërsa shkruan se eksplozivi i hedhur ka shkaktuar dëme materiale.
Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së
“Falë Zotit nuk ka viktima në njerëz e as nuk është lënduar njeri. Vazhdohet në mënyrën e njëjtë tradita piromane, kur edhe më parë gjatë zgjedhjeve të 2017-tës kishte zjarr në shtëpinë time. Nuk do të hyj në atë se çfarë e si, kush e cila është porosia. Mesazhi që e dërgojnë tek unë para fillimit të fushatës shkruhet vetë, por përgjigja është se nuk do të më lëvizni nga vendi, as nuk do të më frikësoni!”
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme nga ku thonë se njoftimin e kanë marrë në orën 03:40 minuta, ndërsa shpërthimi është dëgjuar paraprakisht.
MPB
“Me arritjen e zyrtarëve policorë në vendin e ngjarjes është vënë re se dera ishte e hequr totalisht dhe se janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa ekziston bazë dyshimi se bëhet fjalë për mjet të improvizuar shpërthyes. Të lënduar nuk ka. Po punohet për zbardhjen e rastit”
Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar edhe nga LSDM edhe nga VMRO-DPMNE. Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, akuzoi pushtetin lidhur me këtë shpërthim.
Hristijan Mickoski, Lider i VMRO-DPMNE-së
“E shfrytëzoj rastin ta dënoj këtë vepër, t’u them se nuk kemi frikë, nëse ky është qëllimi i këtyre kriminelëve, të dirigjuara nga një qendër, të orkestruara nga ana e pushtetit, u themi se nuk kemi frikë, përkundrazi kjo na motivon akoma më shumë. Tani për tani do të jemi të durueshëm dhe do të presim që institucionet ta zbardhin rastin, por nëse institucionet nuk e zbardhin, unë ju premtoj se pas 15 korrikut, do t’i arrijë drejtësia.”
Ndërsa zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov u shpreh se ai personalisht por edhe partia që përfaqëson ai, dënojnë këtë vepër. Ai i cilësoi si të rreme deklaratat e Mickoskit.
Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së
“Edhe një herë duhet të them se bëhet fjalë për lajme të rreme dhe i bëj thirrje Mickoskit të thotë nga e ka marrë informacionin. I bëjmë thirrje MPB-së ta hetojë rastin dhe ta vërtetojë lajmin e rremë të Mickoskit”
Edhe nga LSDM poashtu kërkojnë zbardhjen e rastit.



