30 September
Evidenca të cilën po e aplikon së fundit Regjistri Qendror i Maqedonisë është mekanizëm alternativ për të matur paraprakisht numrin e popullsisë në vend apo siç njihet si regjistri i popullsisë. Këtë e konstatojnë njohësit e çështjeve duke pretenduar se pas kësaj mund të fshihet marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit. Duke hedhur dyshimet se i njëjti mund të keqpërdoret, akademiku Abdylmenaf Bexheti vlerëson se plotësimi i të dhënave personale të qytetarëve mund të përfundojë edhe me të dhëna të përgjysmuara në nivel republikan.
Nëse i referohemi dioptrisë se çfarë mund të fshihet pas gjithë kësaj, ndonjë sherr i mundshëm, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë rast sepse koncepti do të bazohet mbi bazën e vetë aplikimit me gjasë edhe të gjithë individualisht dhe familjet do të duhet të vetë-regjistrohen, t’i japin të gjitha të dhënat në një afat të caktuar. Duke u bazuar në kulturën tonë të vobektë në lidhje me këto aspekte, mendoj se mund të del ndonjë koklavitje në rezultate pas mbarimit të afateve për ta plotësuar atë regjistër- deklaroi akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Analisti Xhelal Neziri hedh dyshimet se ekzekutivi me këtë vendim tenton të shmang regjistrimin e popullsisë të paktën deri ne vitin 2021.
Mendoj se është një tentim i koalicionit aktual LSDM-BDI që në forma alternative të mësojë numrin e popullatës, përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze që në këtë formë të çojnë deri në fund periudhën e mbetur pra deri në vitin 2021 kur edhe duhet të bëhet regjistrimi real- deklaroi analisti Xhelal Neziri.
Qeveria këtë masë e zbaton nën arsyetimin se Regjistri Qendror, përmes të dhënave do të lehtësojë punën e institucioneve tjera si Ministria e Brendshme dhe Kadastra. Sipas organit ekzekutiv, kjo masë nuk nënkupton regjistrim paraprak të popullsisë. Vendimi i Qeverisë obligon që deri në korrik të viti të ardhshëm të përgatitet Regjistri Qendror i popullsisë.
Adrian Kerimi

