17 September
Komunat janë të zhveshura nga kompetencat deri në atë nivel sa qytetarëve të tyre nuk mund t’ua plotësojnë as nevojat themelore. Ministritë nga ana tjetër, kanë aq shumë kompetenca sa nuk kanë kapacitet për t’i realizuar. Ish ministri, Xhevdet Hajredini vlerëson se zhveshja e komunave nga kompetencat ishte bërë me tendencë që ministritë të mund t’i kontrollojnë komunat e banuara kryesisht me shqiptarë. Prandaj decentralizimi ishte edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, që akoma nuk u realizua tërësisht.
Tendenca ka qenë me qëllim që vetëqeverisja lokale, komunat me shumicë shqiptare sa më tepër të zhvishen nga kompetencat. Ata kanë shkuar në një ekstrem tjetër, janë rritur në maksimum, të gjitha kompetencat kanë kaluar në kompetencë të ministrive. Pa marrë parasysh se ministritë kanë njësitë e veta në njësitë e vetëqeverisjes lokale ato nuk kanë lidhje me kompetencat e komunës. Janë zhveshur në pikëpamje materiale komunat dhe sot ballafaqohen me çështje me të cilat nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat elementare. Prandaj edhe e gjithë kjo kritikë ndaj kryetarëve të komunave shqiptare- deklaroi ish ministëri Xhevdet Hajredini.
Kryetari i Këshillit komunal të Çairit, Zahir Bekteshi thekson se është koha që kompetencat rreth dokumenteve të personave fizik dhe të personave juridik të barten nga organet e pushtetit qendror në ato të pushtetit lokal bashkë me decentralizimin fiskal. Kjo është në pajtim me Kushtetutën e ligjet dhe njëherit do të përmirësojë punën e institucioneve dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve.
Çështja e dokumenteve personale, ku i kemi parasysh çertifikatat e lindjeve, kurorëzimeve, vërtetimeve të ndryshme e kështu me radhë të mund të barten në rrafshin lokal. Çështja e decentralizimit për të cilin është biseduar mjaftë. Do ta paraqes si dukuri se personat juridik apo institucionet e ndryshme të cilat i themelon komuna financohen nga pushteti qendror dhe ajo në raste të caktuara prodhon konflikt, mosmarrëveshje po edhe krizë në funksionimin normal të këtyre institucioneve. Si dhe rrafshi i tretë, çështje të cilat kanë të bëjnë me dokumentacionin apo me aktet themelore të personave juridik të themeluara nga komunat. Si psh. Shkollat e mesme, shkollat fillore- deklaroi Zahir Bekteshi, kryetar i Këshillit komunal të Çairit.
Decentralizimi është karakteristikë e shteteve normale demokratike, me ç’rast qytetarët më lehtë i realizojnë të drejtat e tyre në institucionet e pushtetit lokal. Maqedonia akoma është larg zgjerimit të kompetencave të komunave, pavarësisht se kjo parashikohet me legjislacionin pozitiv të vendit dhe rekomandohet me raporte ndërkombëtare. Struktura e vetëqeverisjes lokale në Maqedoni është një-shkallëshe. Ligji për organizim territorial të vetëqeverisjes lokale i vitit 2004 parasheh ndarjen e vendit në 84 komuna. Nga ana tjetër në kuadër të pushtetit qendror ka 15 ministri, 6 organe të pavarura të Qeverisë si dhe institucione të tjera.
Anesa Aliti

