Ekipet e shpëtimit që mbërritën menjëherë pas përplasjes së trenave në Larisa të Greqisë kanë rrëfyer momentet tronditëse të cilat ata kaluan menjëherë pasi mbërritën në vendin e tragjedisë.
“Nuk gjejmë dot fjalë për ta përshkruar tmerrin me të cilin u përballëm menjëherë sapo shkuam në vendin e ngjarjes. Nuk mund t’i tregojmë të gjitha, pasi ishte një situatë shumë e rëndë. Është misioni më i tmerrshëm në të cilin unë kam marrë pjesë ndonjëherë. Kishte trupa njerëzish të pajetë gjithandej, hekura, karrige, gjithçka ishte shpërndarë në atë zonë. Më i rëndë ishte fakti që shumica e viktimave ishin të rinj. Ishte krijuar një masë amorfe metalesh hekuri. Ishte një makth i vërtetë”, tha Sotiris Papamarkakis, një anëtar i ekipit të shpëtimit.
Kujtojmë se nga aksidenti fatal në Greqi, 40 persona janë konfirmuar të vdekur, 66 kanë mbetur të plagosur, nga të cilët 6 janë në gjendje të rëndë.