Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike hyn sot në ditën e saj të 48-të, duke dëshmuar se mobilizimi i nisur prej javësh vazhdon pa ndërprerje. Edhe këtë pasdite, protestuesit pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Sipas organizatorëve, kërkesa mbetet e njëjtë që nga dita e parë – dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i elitës politike, të cilën ata e akuzojnë se ka drejtuar vendin pa sjellë ndryshimet e nevojshme për më shumë se 30 vjet.
Një ditë më parë, organizatori Edison Lika ritheksoi se lëvizja nuk ka ndërmend të zhvillojë negociata apo të pranojë përfaqësim politik. Ai deklaroi se protesta ka objektiva të qarta dhe nuk do të devijojë prej tyre.
“Ne nuk do të hyjmë në negociata me askënd, sepse kërkesat tona janë të qarta. Kërkesa kryesore është dorëheqja e Edi Ramës”, u shpreh Lika gjatë tubimit.
Gjatë protestës së 47-të, aktivistët hodhën poshtë çdo ide për ndryshime sipërfaqësore në qeveri, duke theksuar se qytetarët kërkojnë përgjegjësi reale dhe jo zëvendësime të emrave në kabinet.
Një nga momentet më domethënëse të tubimit ishte pjesëmarrja e studentëve të veshur me pelerina diplomimi. Me pankartën “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata përcollën mesazhin se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet me të rinjtë dhe jo larg tyre.
Nga ana tjetër, aktivistja Sidorela Vatnikaj bëri thirrje që hetimet të mos kufizohen vetëm te ish-zyrtarët, por të përfshijnë edhe drejtuesit më të lartë të qeverisë.
“Edi Rama duhet të hetohet si kreu i një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Edhe këtë herë, protestuesit shpalosën pankarta me mesazhe satirike dhe kritike ndaj qeverisë, opozitës dhe gjithë klasës politike. Në shesh u dëgjuan sërish thirrje si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.
Organizatorët kanë konfirmuar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke ftuar qytetarët t’u bashkohen tubimeve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.



