Punëtorët e krahut fitojnë shumë, por punojnë me orë të gjata dhe punë të rrezikshme, kështu thonë disa mjeshtër, të cilët merren me ndërtimtari. Sipas tyre, oraret e gjata, reduktojnë disa ditë të muajit, ku ditët e mbetura mund të shfrytëzohen për punë tek një pronar tjetër, për ndërtimin e shtëpisë ose të ngjajshme.
Të pyëtur se cila është pjesa më e rrezikshme në ndërtimtari, ata thonë se çatia, kërkon përkushtim dhe vëmendje më të madhe, duke mos përjashtuar edhe rrezikun që mund t’u kanoset.
Për 75 metër katror, të një çatie, bëhet punë për një javë, nga 10 orë për çdo ditë. Shuma e fituar për 7 ditë arrin 85,680 denarë, ose e konvertuar në valutën europiane është 1400 euro, që do të thotë se për çdo ditë kanë fituar 200 euro, për pesë punëtorë. Ku shuma totale në ditë, për punëtor arrin 40 euro, për 10 orë pune. Kjo do të thotë se java për një punëtorë krahu, të kësaj lloje pune arrin në 280 euro, për javë.
Punëtori Bimi, i cili është 27 vjeçar thotë se këtë lloj pune e bën vetëm në muajin qershor, korrik dhe gusht. Ku me paratë e fituara arrin të heq shpenzimet e gjithë vitit.
“Pas përfundimit të shkollës së mesme, nuk kisha dëshirë të vazhdojë fakultet, por mendoj se zanati është puna që nxjerr më shumë të ardhura dhe më lehtë gjendet punë, sidomos në vendet ku ka mungesë të punëtorëve të krahut. Kam ushtruar shtatë vite këtë punë. Fitoj mirë, gjatë stinës së verës, më pas nëntë muaj detyrohem të punoj, duke intervenuar në ndonjë pjesë brenda shtëpisë. Të gjithë punojnë sa fillon e ngrohet koha, nga pranvera dhe me ardhjen e vjeshtës mbyllet sezoni i punës së krahut. Për 10 orë pune, fitoj 40 euro, në ditë, më pëlqen sa fitoj, por më vonë do ta mendoj se ç‘duhet të bëj, se kjo lloj pune, punohet deri në një moshë, pastaj nuk jemi më të fuqishëm sa jemi në moshë të re”, tha punëtori Bimi, për Almakos.
Në krye të kësaj pune qëndron menaxheri i pesë punëtorëve, i cili nuk do të identifikohet, për asye se nuk ka të paraqitur punën që bën dhe grupin e punës. Ai ka vetëm një numër telefoni, që bën marrveshje me pronarët e shtëpiave, të cilët kanë nevojë për intervenim të çatisë, murit, e të ngjajshme. Sipas tij, paraqitja e tyre në institucionet përkatëse, do të tërhiqte një shumë të parave, nga përfitimi. Kjo shumë, ndonëse jo aq e lartë, mundëson të plotësojë disa nevoja elementare. Fitimi që marrin janë shuma të majme, por rreziku është i madh, si të punuarit pa leje, të quajtur punë në të zezë ashtu edhe lëndimi nga puna që bëjnë.
“Ka kohë që e bëjë këtë punë krahu. Personalisht kam nisur qysh në moshë të re. Dikur kam qenë ortak me një shok, por ai iku në Gjermani, dhe më mbeti puna vet, u përpoqa të gjej shok pune, nga fshatrat, por më janë bashkangjitur nga Maqellara, një nga fshati Ostren, etj. Jemi pesë punëtorë, që bëjmë intervenime në shtëpitë, dikush kërkon rregullimin në çatin, muret, e me radhë. Puna që bëjmë është sezonale. Kërkojmë në ditë diku 2500 denarë, për 10 orë, pune”, tha mjeshtri A.D, për Almakos.
I pyetur nëse punëtorëve ose vetë atij i kanoset ndonjë rrezik, ai thotë se të gjitha këto rreziqe që mund të vijnë, janë përgjegjësi personale e secilit prej tyre.
“Jeta në çdo moment është e pasigurtë, prandaj nuk duhet të ndalemi në këtë pikë. Puna jonë në ndërtim vërtet është me më shumë rreziqe, por këtë punë kemi zgjedhur, pak nga dembelia jonë për shkollim, por më shumë për një ekzistencë, për familjen. Të hap firmë, nuk kam tentuar ndonjëherë, njerëzit më njohin si punëtor dhe tashmë kam krijuar imazhin tim, bashkë me punëtorët. Për sigurimin tonë, na sheh Zoti”, tha mjeshtri A.D, për Almakos.
Delvina Kërluku
Almakos.com

