Gjithsej 1.814.624 qytetarë nesër do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe këshilltarët e 80 komunave në mbarë vendin dhe në qytetin e Shkupit. Në garë për këto poste janë 260 kandidatë për kryetarë komunash dhe 6627 kandidatë për këshilltarë komunal nga 372 lista të ndryshme. Përderisa sot po vazhdon heshtja zgjedhore, e cila merr fund nesër në ora 19:00, sot votojnë disa kategori të qytetarëve, si të burgosurit dhe personat të cilët ndodhen në paraburgim.
ARJETA XHEMAILI, KSHZ
“Në 13 vendvotimet nëpër entet ndëshkuese përmirësuese të drejtën e tyre të votimit do të mund ta realizojnë 1882 votues. Të gjithë vendvotimet në këto ente janë hapur në ora 07:00 e mëngjesit dhe votimet do të zgjasin der në ora 19:00. Gjatë ditës së sotme të drejtën e tyre mund ta shfrytëzojnë edhe personat e zhvendosur brenda vendit dhe ato të cilët do të votojnë në një qendër strehimore dhe numri I tyre gjithsej është 9 votues”
Përveç tyre sot të drejtën e votës do ta zhfrytëzojnë edhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm ose që janë në burg shtëpiak. Në shtëpitë e tyre të drejtën e votimit do ta realizojnë 5025 qytetarë. KSHZ bëri edhe një herë apel deri tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm në mënyrën e votimit.
ARJETA XHEMAILI, KSHZ
“Me këtë rast dëshirojmë t’i rikujtojmë votuesit se në bazë të kodit zgjedhor dhe udhëzimeve të cilat janë miratuar nga KSHZ, fletëvotimet e tyre duhet ti shënojnë vetëm duke rrethuar numrin rendor para parashtruesit të listës respektivisht kandidatit, me stilolaps me ngjyrë të kaltër”
Interesimi për vëzhguesit në këto zgjedhje nga ana e organizatave dhe mediave të huaja dhe vendor është imadh. KSHZ njoftoi se gjithsej ka akredituar 5011 vëzhgues vendor, 373 vëzhgues të huaj, 294 përkthyes dhe gjashtë gazetarë të huaj. Arben Zeqiri

