Qëndrimi i ministres Nagavci për të mos ndryshuar dekretin jep shenjë se kryeministri ka manipuluar me elektoratin muslimanë të Kosovës. Ky qëndrim mund të bëhet shkak i ndonjë dhune të paparamenduar që mund të vjen nga individë impulsivë. Këtë duhet ta kuptojë qeveria dhe të gjithë ata që këmbëngulin në qëndrimin e tyre kundër shamisë së një ‘minorene’. Propozimi im do të ishte që qeveritarët tanë të marrin shembull qeveritë evropiane për këto raste, e të mos dëgjojnë antiislamistët, islamofobët dhe me theks të veçantë ata të shërbimit greko-serb i cili në çdo formë mundohet të gjejë pretekst për grindje brenda kombit tonë
Nga Dr. Muhamed KAJOLLI, teolog
Muslimanët sot nuk janë në pozitë gjeopolitike të tillë sa të kushtëzojnë të tjerët, e as t’ua imponojnë mënyrën e jetesës të tjerëve, ndonëse kjo nuk është dëshmuar asnjëherë në shoqërinë ose sistemin Islam më të hershëm. Po ashtu nuk ka dëshmi ose ndonjë akuzë që jo muslimanët janë sanksionuar me ligj. Për të jetuar sipas parimeve Islame, asnjëherë nuk janë dhunuar jo muslimanët, e as nuk kanë qenë pilot-projekte për një mega-projetmusliman kundër jomuslimanëve. Kjo u dëshmua në ajetet e sipër theksuara si dhe në temën e kaluar. Muslimanët kanë pasur obligim fetarë t’i strehojnë jo muslimanët kur këta të fundit ua kanë kërkuar strehimin.
Për të qenë më të saktë në shtetin Islam të udhëhequr nga memalukët në Egjiptin e pas kthimit të ushtrisë së kryqtarëve (shek..XIII) ka pasur raste ku jomuslimanët janë detyruar të dallohen në veshje. Atyre iu është kërkuar të mbajnë shenjë (kapela dhe karfica) se janë të krishterë ose të ndonjë besimi tjetër. Kjo ka ndodhur për një periudhë kohore derisa është stabilizuar vendi. Ky urdhër administrativ i ishte imponuar pushtetit për t’u siguruar se nga i vinin dëmtimet dhe vrasjet. Për t’i shpëtuar luftës civile, ata duhej t’ia ngushtonin rrethin shkaktarëve të prishjes së rendit dhe trazirave. Ky udhëzim administrativ gjithashtu ishte për të mirën e vetë jo muslimanëve dhe për sigurinë e tyre. Ata që e kanë studiuar legjislaturën e memalukëve e dinë se ky vendim nuk është hequr për një kohë të gjatë, duket se ishte parapëlqyer nga vetë jo muslimanët.
Në shekullin XX teknologjia ndryshoi botën. Përkundër këtyre ndryshimeve jo muslimanët për t’i kuptuar parimet universale Islame, iu desh të kalojnë shumë shekuj pas vdekjes së Muhammedit a.s., Shumë udhëzime e rezoluta të dala nga OKB edhe sot nuk i kanë arrit standardet Islame, e të mos flasim për shtete veç e veç që vazhdojnë të jetojnë sipas traditave të tyre fisnore e kombëtare.
VESHJA NUK DUHET TË JETË PENGESË PËR KREATIVITET DHE SUKSES
Nga mënyra e veshjes kam kuptuar shumë individë se nga janë, ndonëse nuk i kam pyetur fare. Secili popull ka veshjen tradicionale që, me të tregon civilizimin dhe kulturën prej nga vjen. Gjithashtu në shumë raste nga veshja kuptohen individët se cilës fe i takojnë. Teknologjia dhe globalizimi ka ndikuar dukshëm në unifikimin e veshjes së popujve në mbarë botën. Tani dallimi është shumë i vogël, ndryshimet vijnë në përzgjedhjen e ngjyrave që popujt preferojnë. Ka popuj që ende mundohen t’i qëndrojnë besnik veshjes tradicionale, por këta janë të paktë.
VESHJA ISLAME
Kam parë nëpër vendshitjet tona shqiptare të shkruhet “veshje Islame”. Kjo reklamë më detyroi që këtë nëntemë ta titulloja në këtë mënyrë, sa për të për të treguar se një veshje e tillë nuk ekziston. Islami nuk është komb, por është fe. Shqiptarët muslimanë duhet të dallojnë fenë nga kultura. Në mënyrë aksiome dihet se secilit fis a komb ambienti ia ka diktuar midis tjerash edhe veshjen. Pastaj, brenda vetë kombit ka dallime në veshje, ato kanë ardhur si rezultat i mundësive materiale dhe shijes së preferuar të secilit individ, por gjithmonë duke i ruajtur kriteret brenda kornizave kombëtare. Nëse një njeri është deklaruar se është musliman, ai e ka kuptuar se islami për veshjen ka vendosur kufij. Edhe gjinia mashkullore edhe gjinia femërore kanë limite. Pra, veshje tradicionale islame nuk ka, por vetëm veshje kombëtare.
PSE VESHJA TË BËHET PROBLEM
Sikurse çdo popull në botë edhe shqiptarët po kalojnë tranzicionin e tyre, nga kombëtarja në ndërkombëtaren-globalen. Këtë tranzicion popujt evropianë dhe perëndimi i largët e ka filluar herët, por ne duke qenë se ishim të pushtuar nga komunizmi, grekët e jugosllavët, këtë tranzicion e kemi të vonshëm. Prandaj është e natyrshme që brenda llojit tonë të ketë kundërshtime. Uroj që këto kundërshtime të mos zmadhohen e të bëhen shkak i eskalimit të situatave sepse mjaft probleme më të mëdha e rëndojnë këtë komb. Sikurse qeveria edhe besimtarët muslimanë duhet të kuptojnë njëri-tjetrin në këtë kohë. Këtu nuk duhet neglizhuar mundësinë se midis tyre mund të jenë futur elementë destruktivë që iu vjen nga shërbimet serbe ose më larg. Këto mund t’i përmbysin edhe këto pak të arritura që kemi si komb.
Sot ndër shqiptarët nuk është veshja e meshkujve problemi, por e femrave muslimane ‘minorene’. Ligji Kosovës quan minoren secilin individ që është nën moshën 18 vjeç, mirëpo, në Islam përcaktues është nuk viti por shfaqja e pubertetit. Kushtetuta e Kosovës në fuqi është laike, besoj se duhet t’i kuptojë kërkesat e shoqërisë muslimane. Ndonëse kushtetuta nuk është penguesi por dekreti administrativ, andaj nuk duhet të këmbëngulet të pengojë një ‘minorene’ muslimanetë veshët sipas dëshirës sësaj, sikurse që nuk po këmbëngul të pengojë zhveshjen ekstreme të femrave minorene ‘laike’.
Një femër e mbuluar sipas kritereve të islamit, i jep shenjë shoqërisë në të cilën jeton se është përcaktuar të jetojë sipas parimeve të moralit Islam. Me të, ajo sikur i lutet ose të paktën pret që veshjen e saj ta kuptojnë gjinia e kundërt që ka fizikun, e në veçanti huliganët brenda shoqërisë së saj. Kjo shpesh është dëshmuar nga vetë huliganët se nuk sillen keq me një femër me shami (me përjashtime të rralla). Mbulesa nuk është shkak i mos emancipimit të femrës por është siguri e nderit dhe moralit të saj. Mbulesa nuk është kundër shkollimit dhe punësimit të femrës nëpër institucione dhe ndërmarrje publike e private ashtu siç e interpretojnë çakejtë shqiptarë. Islami më shumë nxit monogaminë, por lejon poligaminë me raste.
Propozimi i kryeministrit Kurti në parim nuk ndryshon asgjë. Nuk di me kënd është konsultuar për shaminë, mirëpo, mosha 16 vjeçe nuk është zgjidhja. Qëndrimi i ministres Nagavci për të mos ndryshuar dekretin jep shenjë se kryeministri ka manipuluar me elektoratin muslimanë të Kosovës. Ky qëndrim mund të bëhet shkak i ndonjë dhune të paparamenduar që mund të vjen nga individë impulsivë. Këtë duhet ta kuptojë qeveria dhe të gjithë ata që këmbëngulin në qëndrimin e tyre kundër shamisë së një ‘minorene’. Propozimi im do të ishte që qeveritarët tanë të marrin shembull qeveritë evropiane për këto raste, e të mos dëgjojnë antiislamistët, islamofobët dhe me theks të veçantë ata të shërbimit greko-serb i cili në çdo formë mundohet të gjejë pretekst për grindje brenda kombit tonë. Çakejtë të cilët i fryjnë kësaj kërkese duhet etiketuar si antikombëtar.