Një operacion i zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka vënë në qendër të kontrollit një nga bizneset më të njohura të Elbasanit që operon në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm.
Sipas burimeve nga vendngjarja, kontrollet kanë nisur rreth orës 06:30 të mëngjesit të së enjtes, ku agjentët e BKH-së, të mbështetur edhe nga forcat e Policisë së Shtetit, kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në ambientet e zyrave të kompanisë.
Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë sekuestruar celularët e punonjësve, kompjuterë, dosje me dokumentacion dhe pajisje të tjera elektronike. Agjentët kanë përpiluar procesverbal dhe kanë vijuar me sekuestrime sipas urdhrit të prokurorit të çështjes.
Kompania në fjalë rezulton të ketë përfituar një numër të konsiderueshëm tenderash nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit, një pjesë e të cilëve dyshohen se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Hetimet për korrupsionin në tendera nuk janë të kufizuara vetëm në Elbasan, por shtrihen edhe në qytete të tjera si Tirana dhe Durrësi, ku janë nën hetim disa kompani ndërtimi me aktivitet të ngjashëm.
SPAK vijon hetimet në bashkëpunim me BKH-në, me fokus zbardhjen e plotë të skemave të mundshme të abuzimeve me fondet publike.