Nga Arben Rrozhani
Sot shtrëngova duart me Ilir Metën. E ngushëllova për baba Rexhepin, që e la 2 ditë më parë dhe ai e përcolli në banesën e fundit në vendlindje, në fshatin Çepan të Skraparit.
Herën e fundit e takova më 19 qershor 2019 në Presidencë kur shoqëroja Koço Kokëdhimën, kreun e partisë “Zgjidhja”, ndërsa kreu i shtetit konsultohej me partitë politike për të vendosur një datë të re zgjedhjesh, pas anulimit të 30 qershorit.
Meta atëherë na priti në sallën e mbledhjeve, na gostiti me kafe, ujë dhe histori sarkastike me kandidatë të sajuar për garën e kreut të PS-së që i luteshin Ramës “aman na jep makinë se nuk ka lezet të shkojmë me furgon dhe autobus” për të garuar për partinë atëherë në opozitë.
Sot jemi për ngushëllime. Janë bashkuar dy salla të hotelit Rogner për të sajuar vendin ku dhjetëra njerëz hyjnë dhe dalin. Ilir Meta është në krye, në krahun e djathtë të të ëmës, përballë dyerve që sigurohen nga agjentët.
I hequr, i transformuar totalisht, por energjik. Çohet, pret njerëzit dhe ulet, bën shaka, pyet për familjarët, shëndetin, biznesin, jetën.
Pastaj i drejtohet sërish Mondit, një burri veshur me bluzë që e ka përballë: U pa puna do të bëjmë një parti të re dhe do ta quajmë “313”.
Kreu i PD-së Sali Berisha sapo e ka kryer vizitën e tij. Në sallë të njohur e të panjohur, ish-zyrtarë të lartë të LSI-së, miq dhe simpatizantë.
Meta i pret të gjithë njëlloj: Filip Çakulin, drejtorin e “Fiks Fare”, emisionit që i nxorri videon e “dua 700 mijë” plot 16 vite më parë dhe ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga zv/kryeministër. Nuk ka asnjë hatërmbetje dhe Meta e pyet Filipin që ka marrë pamjen e peshkatarit Popeye, por me mjekër, për familjen dhe jetën në përgjithësi nga Tirana në Sarandë. Një ish-zyrtare e LSI-së i sjell një diplomat italian që i shpreh ngushëllimet.
Meta nuk ka të ngopur duke folur me njerëzit, me zë të lartë, i lumtur, pa asnjë drojë. Po shijon në maksimum ditën e dytë të lirisë pas arrestimit banditesk në hyrje të Tiranës në tetor 2024 dhe më pas daljeve turpëruese në gjyq brenda një kafazi qelqi si të ishte kryeterroristi i botës, edhe pse me akuzat qw ka mbi shpinë, duheshin kalbur brenda gjithw kryetarët dhe sekretarët e përgjithshëm të partive apo ish-ministra dhe kryetarw bashkish që paguan miliona për të lobuar dhe për të patur mbrojtjen ligjore nga studiot në SHBA.
Dje e çuan me forgon policie në fshatin ku do të prehet i ati, sot e kanë sjellë me leje deri në orën 21:00 për të pritur ngushëllime në një sallë të mbyllur, disa metra larg selisë së qeverisë që e drejtoi në vitet 2000-2001 e si zv.kryeministër në vitet 2009-2010, selisë së Kuvendit ku ishte numri 2 i shtetit në vitet 2013-2017 dhe presidencës ku ishte kryetar shteti në vitet 2017-2022.
Ish-njeriu më i rëndësishëm i dy dekadave të fundit, kishte qenë punëdhënësi im në vitet 2005-2007, koha kur kishte krijuar LSI-në, pas çarjeve me Faton Nanon. Punuam për propagandën e partisë së re që e kishte selinë në një godinë të hallakatur te rruga e Stacionit të Trenit dhe pas në selinë e re te Sheshi “Wilson”.
Një drejtues energjik dhe popullor dhe më vjen të qesh sa herë ia përmendin atë punën e bllokut. Sepse në të vërtetë kishte 2 blloqe: njërin për kontakte telefonike, ngaqë nuk i besonte dhe aq Blackberry-t dhe një tjetër që e kishte me data, emra njerëzish, ditë të shënuara, dasmash, vakish, ditëlindjesh, sepse, siç i thoshte Spratak Braho, njerëzit e mbajnë mend nëse ti kujtohesh për ta dhe ta shpërblejnë kur ke nevojë.
Ishin vitet kur Ilir Meta formohej si kingmaker. Mblodhi në seli figura me peshë ideologjike si Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Spartak Braho, figura me fonde dhe ekspertizë nga pas si ish-ministrat Dritan Prifti, Sokol Nako, Mustafa Muçi si dhe dhjetra të rinj me të cilët merrej Monika, gruaja më e papërtuar e partisë që kujdesej për gjithçka nga financat deri te kopsitja e moketit në Pallatin e Kongresve ku do të mbahej konventa e radhës.
Ishin ditë të stuhishme politike që çuan në shtyrjen e zgjedhjeve vendore për në 18 shkurt 2007 dhe falë bashkëpunimit me PS-në e Ramës, LSI arriti të fitojë disa bashki në vend, duke marrë oksigjenin e parë të një partie që do të bashkëqeveriste me PD dhe PS, madje edhe duke bërë ligjin për dekadën e ardhshme.
Ajo çfarë ndodhi më pas është histori: falë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit dhjetra zyrtarë partie, familjarët dhe të afërmit e tyre, u bënë administratorë pushteti, shumë shqyen plaçkë sa mundën, disa u bënë zyrtarë ambulatë sa me PD sa me PS për të mos humbur privilegjet.
Bënë aq shumë zullume, dhe, edhe pse Ilir Meta ka gjynahet e veta bashkë me Monikën, krijuan urrejtje në popull ndaj “shushunjave” të LSI-së, propagandë që fryhej edhe nga PS dhe PD që e shihnin Metën një ferrë në këmbët e tyre bipartizane. Si një ish-ministër të cilit vetëm tenda për të pritur të ftuarit e dasmës së vajzës në Lalz i kushtoi 100 mijë euro; një ministri tjetër që ia plaçkitën shtëpinë, duke i terrorizuar vajzën, sepse kishin marrë vesh se aty ndodhej thesi me euro i sjellë nga vartësi; drejtorë të bërë tapë që në mëngjes herët që shkonin në zyrë për të kapur femrën dhe milionët e tjerë të asaj dite: të gjithë sot të lirë dhe të lumtur duke shijuar paratë e mbledhur me lopatë vite më parë, ndërsa shefi i tyre lahet me kanaçe në burgun 313 dhe e pa lirinë vetëm këto 2 ditët e fundit prej tetorit 2024.
Fati i Ilir Metës është ai i brezit të studentëve të Dhjetorit ’90. Një vit më i madh se unë, ai ishte atje në sallën përballë Ramiz Alisë, bashkë me studentë dhe profesorë të tjerë që vranë frikën. Ndërsa unë atje në shesh, i strukur në turmën e mijëra studentëve të tjerë.
Guximi iu shpërblye dhe ai arriti të jetë një figurë kyçe në 36 vitet e fundit të tranzicionit shqiptar.
Dhe ironia e fatit sot më 3 qershor 2026:
Pak metra larg sallës ku Ilir Meta pret ngushëllimet, është pishina. Në netë dimri ishte e zakonshme që Monika të ftohej për të ngrënë orëve të vona, kur i shoqi ishte kryeministër. Kërciste qingji në hell dhe një biznesmen i njohur urdhëronte gazetarin, sot figurë qendrore e debatit publik, që të hidhej me gjithë rroba në pishinë, ose do ta merte me vete dhe të hidhej në pishinën e hotelit në Durrës.
Ndërsa 26 vite pas, Ilir Metës shteti i tij i ka dhënë liri deri në orën 21:00, për ta kyçur sërish në qelinë e ndyrë të burgut 313. Kurse Monika nuk është.


