20-vjeçari shqiptar i arratisur në Shqipëri pas vrasjes së 19-vjeçarit, Alqis Kambanu, ka kërkuar të dorëzohet në autoritetet greke. Mësohet se ai ka bërë një telefonatë dhe ka kërkuar që të dorëzohet te uniformat blu, ndërsa është shpallur nga autoritetet greke në kërkim ndërkombëtar.
Ngjarja ndodhi afër stadiumit të skuadrës “Aris” në Selanik. Me një telefonatë në një zyrë avokatie në Selanik, i riu ka kërkuar të dorëzohet vetë duke u kthyer në Greqi.
Ndërkohë, avokatët grekë kanë thënë në median greke se pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest është e pamundur që i riu të kthehet vetë në Greqi, të kalojë kufirin si çdo qytetar.
Ndaj, edhe autoritetet greke i kanë sugjeruar të dorëzohet në autoritetet shqiptare, për të kryer procedurën në prokurorinë e zonës e në vijim të kryhet dhe ekstradimi në Greqi.
I pari që ra në prangat e policisë për ngjarjen e rëndë është një 23-vjeçari shqiptar. Ai u kap 24 orë pas vrasjes, ndërsa pak ditë më pas u arrestuan tetë persona të tjerë. Ditën e djeshme është dorëzuar në polici 25-vjeçari “Athinas”.
Nga 11, ata që duket se janë përfshirë në hetime janë katër, për të cilët deri më tani janë mbledhur pjesa më e madhe e të dhënave, ndërsa për pjesën tjetër priten detaje.



