29 Tetor 2018 / 9:20
Drejtori i Agjencisë së sapoformuar operativo-teknike, Zoran Angellovski sot do të ketë takim me anëtarët e Komisionit kuvendor për mbikëqyrje ndaj zbatimit të masës së posaçme hetimore ndjekje e komunikimeve nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së policisë financiare, Drejtorisë së doganave dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Takimi ndodhë para fillimit të paralajmëruar me punë të ATO-s, më 1 nëntor, siç është paraparë me Ligjin për formimin e kësaj agjencie, e cila duhet të jetë ndërmjetësuese në procesin e përgjimit.
ATO është trup intermediar, agjencia është ndërmjetëse në procesin e hasjes së komunikimeve dhe duhet të jetë e pavarur në pjesën e rolit teknik të ndjekjes. Me formimin e agjencisë së re, urdhëri për përgjim nga prokuroria do të shkojë drejt ATO-s. Roli i saj do të jetë vetëm teknik, pas marrjes së urdhërit, ajo e përfshinë masën, që nënkupton se e rikahëzon sinjalin drejt shfrytëzuesit, përkatësisht, kërkuesit të shërbimeve. Të punësuarit në ATO nuk do të mund të grumbullojnë të dhëna, të dëgjojnë, vetëm mund ta kyçin sinjalin.
Qëllimi i kësaj reforme, e cila doli nga vërejtjet e Pribesë, është të vendoset kontroll real i fuqisë ndaj përgjimit. Pas përgjimit joligjor të mbi 20 mijë personave në Maqedoni, që me vite e ka zbatuar ish-pushteti i VMRO-DPMNE-së, ndërkaq në fillim të vitit 2015 e publikoi lideri ia tëhershëm i opozitës, tani kryeministër, Zoran Zaev, përmes projektit “E vërteta për Maqedoninë”, një nga top prioritetet në raportin e Rajnhard Pribesë ishte reformimi i sektorit të sigurisë, me theks të posaçëm në shërbimet sekrete dhe sistemet për ndjekje të komunikimeve.


