Remzi Nesimi dhe Bllazhe Koneski janë dy emrat e rinj që mund t’i shtohen listës së çmimeve shtetërore në kulturë. Një propozim i deputetëve socialdemokratë është depozituar në Parlament, ku mes të tjerash arsyetohen ndryshimet në Ligji për çmimet shtetërore, disa nene të tij. Konkretisht me nenin 1 të Propozim-ligjit sugjerohet që të definohet se mirënjohja shoqërore jepet për arritje veçanërisht të rëndësishme me interes për shtetin në fushën e gjuhës maqedonase dhe maqedonistikës, si dhe në fushën e gjuhës shqipe dhe albanologjisë. Që në këtë rast propozohen dy çmimet e reja shtetërore “Bllazhe Koneski” dhe “Remzi Nesimi”. Brenda një viti të mund të jepen maksimumi me nga dy çmime, përkatësisht në vlerën e pesë pagave mesatare.
Gjuhëtari Remzi Nesimi, i njohur për kontributin e dhënë për albanologjinë, gjuhëtar i shquar, profesor me një karrierë të pasur shkencore dhe arsimore, ka qenë edhe delegati i vetëm nga Maqedonia që në Kongresin e Drejtshkrimit
“I respektuar nga të gjithë albanologët në vend dhe në botë, ai ka qenë referencë për çdo çështje që lidhet me gjuhën standarde shqipe, me të folurën shqipe në vendin tonë, si dhe me kulturën e të folurit në komunikimin publik. Profesori Nesimi për më shumë se gjysmë shekulli ka qenë përfaqësuesi më i shquar i të gjitha arritjeve shkencore në fushën e albanologjisë në vend”, thuhet në propozim. Është autor i librit “Çështje gjuhësore” (1977), monografisë “E folmja shqipe e Dervenit” (2008) dhe librit “Për gjuhën shqipe” (2019), i dhjetëra teksteve shkollore, si dhe mbi 100 punimeve shkencore….Për kontributin e tij është dekoruar me një sërë çmimesh, diplomash dhe medaljesh.
Me ndryshimet ligjore, janë aktualizuar dy propozimet që janë bërë shtatë vjet më parë.
Propozimi për çmimin Bllazhe Koneski është bërë nga Këshilli për gjuhën maqedonase, me iniciativën e dorëzuar në Qeveri në vitin 2019, ku sugjeronte që të themelohet një çmim i ri shtetëror për dhënien e mirënjohjes për arritje të larta profesionale dhe shkencore në fushën e gjuhës maqedonase në vend dhe jashtë tij, me motivacionin se Koneski është themelues i shkencës bashkëkohore maqedonase të gjuhës, gjuhëtar, historian i letërsisë dhe kulturës, poet, prozator dhe përkthyes. Ndërsa për Nesimin propozimi i është dërguar Ministrisë së Kulturës po në të njëjtin vit, nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve ku kërkohej që të themelohet një çmim i ri shtetëror për dhënien e mirënjohjes për arritje të larta profesionale dhe shkencore në fushën e gjuhës shqipe dhe albanologjisë në vend, që ky çmim të mbajë emrin e Remzi Nesimit. Sipas zgjidhjes ekzistuese ligjore, Maqedoni akordohen nëntë çmime shtetërore.
Çmimi më i rëndësishëm (sipas shumës që shoqëron çmimin dhe të ardhurat në formë pensioni që fituesi i merr gjatë të gjithë jetës) mbetet çmimi “11 Tetori” – Dita e kryengritjes së popullit maqedonas, që nënkupton mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime, në vlerë prej 15 pagash mujore mesatare. Ky çmim renditet i pari dhe është ndarë në vitin 1959. I dyti (në 1969) është “Shën Klimenti i Ohrit”, me motivacion të ngjashëm ashtu si edhe “11 Tetori” , i kategorizuar në grupin e çmimeve përfitimet e të cilit janë të mëdha, dhjetë paga mujore mesatare dhe që për herë të parë është ndarë në vitin 2007. Çmime të tjera janë “Nënë Tereza”, “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin”, “22 nëntori”, “Meto jovanovski”. (koha.mk)


