Prokuroria e Posaçme teksa është drejt përfundimit të hetimeve për dosjen “Partizani” ka shtuar dhe një të pandehur. Ai është Xhimi Begeja, një nga trashëgimtarët e tokës për të cilën është ngritur çështja në SPAK.
Ai akuzohet për veprën penale e pastrimit të parave.
Më herët të ditës së sotme në mëngjes (12 shtator), për të njëjtën çështje u paraqit në ambientet e SPAK dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, po në cilësinë e të pandehurit.
Ditën e djeshme më 11 shtator, Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku u mor i pandehur për korrupsion pasiv. Po ashtu edhe dhëndri i rij Jamarbër Malltezi, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Nga hetimet e SPAK rezulton se në vitin 2018, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja bëhen përfitues maxhoritarë të shoqërisë Homeplan sh.p.k duke kontrolluar dhe vendimmarrjen e asamblesë ku Fatmir Bektashi iu shet atyre në një vlerë qesharake përkatësisht Jamarbër Malltezit 35.000 lek aksionet në masën 35% dhe Xhimi Begeja 25.000 lek aksione në masën 25% në nje shoqeri e cila ka një kapital 100.000 lek dhe ndërmerr realizimin e një vepre mbi 20 milion dollarë.



