07 November
Qeveria i ka propozuar Kuvendit kandidatin për Kryeprokuror Publik. Bëhet fjalë për Lubomir Joveskin aktualisht anëtarë i Këshillit të Prokurorëve Publik. Sipas njoftimit të organit ekzekutiv, zgjedhja e Joveskit është bazuar në profesionalizmin e tij.
Qeveria e Republikë së Maqedonisë këtë vendim e ka marrë mbi bazën e biografisë profesionale të Joveskit dhe mendimit pozitiv të Këshillit të Prokurorëve Publik për kandidatin në fjalë- thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Joveski ishte në garë me 22 kandidatë të tjerë për të zënë vendin e Marko Zvërlevskit i cili u shkarkua më 17 gusht të këtij viti. Tani Kuvendi duhet të vendos në rend dite pikën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Zgjedhjes do t’i paraprijë debati në Kuvend i cili nuk përjashtohet të zgjasë disa ditë. Për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri nevojiten 61 vota. Opozita kërkon që prokurori i ri të jetë propozim i tyre dhe të votohet me 2/3 e votave. Mazhoranca kundërshtoi që në fillim këtë propozim. Mandati i Kryeprokurorit Publik është 6 vjet dhe i njëjti ka të drejtë rizgjedhjeje.
Adrian Kerimi

