Një rast i çuditshëm që tregon se ku ka përfunduar Operacioni Forca e Ligjit, i nisur me bujë të madhe nga qeveria shqiptare si një mekanizëm në luftën kundër krimit e korrupsionit, është regjistruar së fundmi, ku subjekti i OFL, Edlir Hysenaj, pretendon se i është sekuestruar një automjet në kuadër të OFL, vetëm pasi vëllai i tij rezulton i skeduar për drogë në Gjermani.
E për këtë arsye, OFL ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pasi dyshohet se aksioni i zhvilluar prej tyre ndaj Edlir Hysenajt është anti-kushtetues.
Por, përfundimi i OFL në dyert e Kushtetueses është ‘qershia mbi tortë’ e dështimit të këtij operacioni, i cili u krijua dhe prezantua më bujë të madhe pas mosrealizimit të të ashtuquajturit ‘ligji antimafia’, për të nisur zbatimin më 3 shkurt 2020, qëllimi i së cilës ishte evidentimi dhe goditja me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal.
Në më pak se një vit OFL realizoi disa operacione, të cilat bëheshin publike në media nga zëdhënësia e këtij organi, e veshur me uniformë dhe syze dielli brenda sallës së konferencave, por që ngelën në vendnumëro. E vetmja gjë që tërhiqte vëmenndjen ishin pamjet filmike të mësymjes së forcave të OFL nëpër bizneset e ‘të fortëve’ dhe përmendja e emrave të tyre, sigurisht edhe trumbetimi me të madhe i suksesit të këtyre operacioneve.
Por, ky rrugëtim i OFL-së zgjati vetëm disa muaj, pasi e mbylli misionin e saj më 31 dhjetor 2020 dhe nuk dërgon më formularë tek subjektet ndërsa ato procese të hapura në SPAK dhe GJKKO vazhdojnë edhe përtej këtij afati.
POR CILAT ISHIN DISA NGA KUNDËRSHTIMET E PARA NDAJ OFL-së:
Mirëpo, vetëm dy ditë pas lançimit të këtij operacioni, dolën në skenë edhe problemet e para. Me anë të një shkrese që mbante datën 5 Shkurt 2020, një grup organizatash të shoqërisë civile iu drejtuan Kryetarit të Kuvendit duke përcjellë reagimet e tyre lidhur me aktin normativ me fuqinë e ligjit, nr.1, dt.31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” (të Këshillit të Ministrave).
“Me shqetësim vërejmë se, akti normativ nr.1, dt.31.01.2020, cenon parime të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së prokurorisë, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Konkretisht:
- Akti normativ nuk mund të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar
- Akti normativ e cenon pavarësinë e prokurorisë
- Akti normativ cenon të drejtat dhe liritë themelore të sanksionuara në Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut
- Cenohet e drejta për proces të rregullt
- Cenohet parimin e prezumimit të pafajësisë
- Cenon të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare”, thuhej në shkresën e organizatave të shoqërisë civile.
OFL PUSHON SË EKZISTUARI, NGA 1 JANARI 2021 NUK MUND TË KËRKONTE MË LLOGARI PËR PASURINË:
Prej 1 janarit 2021 Operacioni Forca e Ligjit nuk kishte më të drejtë të kërkonte llogari mbi burimin e pasurisë së personave problematikë me të shkuar kriminale, të dënuar ose të akuzuar për vepra të rënda penale dhe krim të organizuar.
Kjo pasi aktit normativ mbi të cilin ai funksiononte nuk iu zgjat afati. Që prej asaj date, u njoftua se do të vazhdojë hetimi ose verifikimi pasuror vetëm në bazë të ligjit antimafia për ata individë që plotësojnë këto kushte.
I vetmi ndryshim i miratuar nga qeveria është ai i datës 16 Dhjetor, që parashikon shqyrtimin e të gjitha çështjeve që tashmë kanë mbërritur në gjykatë dhe në SPAK.
PASURITË E EVIDENTUARA DHE ATO TË SEKUESTRUARA NGA OFL QË PREJ FILLIMIT TË AKSIONIT:
Nga nisja e këtij operacioni në shkurt të vitit të vitit 2020, deri në 31 Dhjetor të po atij viti, 589 persona kanë plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë, ndërsa janë evidentuar rreth 1550 pasuri.
Për 69 individë është pushuar hetimi, pasi nga verifikimet kanë rezultuar se nuk disponojnë asnjë pasuri. Deri tani në gjykatën e Posaçme, prokuroria ka dorëzuar 120 çështje që pritet të shqyrtohen gjatë këtij viti.
Edhe pse SPAK ka kërkuar konfiskim e 45 pasurive, gjykata ka vendosur që vetëm 11 prej tyre të kalojnë në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndërsa janë ende në fazë shqyrtimi edhe 56 kërkesa të tjera për konfiskim pasurie. Togat e zeza kanë hequr sekuestron për të paktën 9 pasuri, pasi nga verifikimet ka rezultuar se janë krijuar në mënyrë të ligjshme dhe jo nga të ardhura që rrjedhin nga aktivitetit kriminal.
AKSIONET E BUJSHME TË OFL-së, DISA NGA ‘TË FORTËT’ QË U GODITËN:
Vetëm pak ditë pasi nisi zyrtarisht punën, OFL sekuestroi disa automjete luksoze dhe prona, të personave të cilëve iu është dorëzuar formulari për të provuar pasurinë, në kuadër të aksionit “anti-KÇK”.
Saimir Taullau, biznesmen nga Lushnja, iu bë atentat në nëntor të vitit 2018 në rrethrrotullimin e Plugut, para lokalit të tij. Saimiri është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë. Në tetor të vitit 2017, atij iu bë një tjetër atentat, por sërish arriti të shpëtojë me vetëm një plumb. Saimir Taullau, njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali. Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.
Dashamir Gjoka, biznesmenit nga Shijaku iu bë atentat me armë zjarri në vitin 2017 teksa udhëtonte me makinën e tij, ndërkohë që shpëtoi pa lëndime. Ai rezulton pronari i kompleksit “Gjoka” në Shijak.
Durim Bami është person i dënuar për kallëzim të rremë ndaj atentatit të deputetit Tom Doshi. Ai u arrestua në 3 mars 2015dhe në 6 mars Krimet e Rënda caktuan ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Kjo akuzë ra dhe më pas Gjykata e Tiranës me vendim të datës 8 maj 2015 caktoi ndaj tij arrest në shtëpi për akuzën e kallëzimit të rremë. Ai u dënua për kallëzim të rremë me 1 vit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ajo u reduktua në 8 muaj dhe për shkak se dënimi ishte më i vogël se masa e sigurisë në kohëzgjatje ajo u shua dhe ndaj Bamit s’ka asnjë dënim në fuqi.
Tesi Basho, një emër i njohur edhe për mediat, i cili njihet për vendsje gjobe të të afërmit të tij ose e vriste. Tesi Basho, banues në Vlorë, i arrestuar dhe nën hetim për veprën penale “Shtrëngim për dhënie të pasurisë”. Basho është dënuar në Itali me burgim të përjetshëm, ku pas arratisjes nga burgu në këtë shtet, strehohej në Selenicë të Vlorës. Ai ka kërcënuar me jetë kushëririn e tij, biznesmen në fushën e mobilierive, duke i kërkuar t’i jepte 100 mijë euro.
Edison Begaj, banues në Vlorë, është bërë subjekt i Aktit Normativ të OFL, pasi është dënuar nga Gjykata Tiranë me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”. Ai është arrestuar për trafik armësh dhe lëndë narkotike dhe në 20 shkurt të 2008 u shpall në kërkim ndërkombëtar pas operacionit policor të koduar “Qiriu i ndezur”.
Bardhok Pllanaj, banues në Koplik, Shkodër, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore ishte një tjetër emër i vënë nën sitën e OFL. Pllanaj njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike. Ai është arrestuar në 2018 pasi kishte një palllat 10-katësh, që 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”. Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes. Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Pllanajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.
Met Bozi, personi i tmerrshëm, që më 1997 urdhëroi të digjeshin trupat e 6 gardistëve ishte një tjetër emër që u vu nën shënjestrën e OFL. Met Bozi, pas asaj që mori emrin si masakra e Cërrikut, ishte shpallur në kërkim policor dhe vetëm më datë 24 dhjetor 2016 u prangos, duke u lënë në burgim të përjetshëm, pasi këtë dënim kishte dhënë ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndalimi i tij në atë kohë u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim penal më datë 22 dhjetor 2016, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, 6 herë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, 16 herë”.
Genci Xhixha, i cilësuar nga drejtësia si kreu i grupit të Xibrakës që trafikonte kokainë nga Kolumbia u vu gjithashtu nën radarët e OFL. Grupi i drogës “Xibraka” u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë me informacione dhe ndihmë nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia prej 100 kg kokainë. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre edhe nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë. Genci Xhixha u shpall në kërkim dhe mendohet se strehohet në Kubë. Ai akuzohet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Xhixha u dënua në mungesë me 13 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, të cilat u ulën në 8 vjet nga Gjykata e Apelit. Genci Xhixha dhe anëtarët e tjerë të grupit kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkojnë pafajësi.















