“Nëse ke jep, nëse s’ke merr” mbajnë mbishkrimin raftet e bamirësisë të cilat dhjetra shitore në komunën e Çairit i kanë vendosur në bashkëpunim me organizatorët e aksionit humanitar “Dora e Artë”. Të gjithë ata që ndeshen me këtë mbishkrim, varësisht prej gjendjes së tyre financiare mund të lënë ose të marrin produktin për të cilin kanë nevojë. Sipas njërit prej organizatorëve, Mensur Krasniqi, ky aktivitet bëhet në muajin e ramazanit dhe ka për qëllim zbutjen e gjendjes së nevojtarëve veçanërisht në kohën kur bota po ballafaqohet me koronavirusin. Krasniqi tha se aktiviteti po zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar dhe se tashmë dhjetra shitore dhe furra kanë një raft bamirësie në hapësirat e tyre.
Mensur Krasniqi, “Dora e Artë”
“ Pra tani raftet bamirëse janë funksionale, konsumatorët kanë filluar të blejnë gjësende të ndryshme dhe të vendosin nëpër rafte, njejt edhe skamnorët janë ambientuar që të marrin ato produkte të caktuara të cilat kanë nevojë që ti kenë në sofrat e tyre….”
Qytetarët shprehen të kënaqur që nëpërmjet këtij aktiviteti e kanë më të lehtë të japin kontributin e tyre për zbutjen e gjendjes së rënduar të të tjerëve. Ata thonë se aktivitetet humanitare nuk kanë munguar asnjëherë, por nënvizojnë se falë raftit të bamirësisë, një gjë e tillë tanimë është më lehtë e realizueshme.
Qytetare
“Banorët me të vërtetë janë të kënaqur me këtë aktivitet të ‘Dorës së Artë’ edhe me të vërtetë jemi befasu edhe pse e dijmë popullatën tonë se sa zemër mirë janë dhe sa dëshirojnë të ndihmojnë, besoni edhe ai që më pak ka don të ndihmon dikujt. Gjithmonë çka të blen, nëse blen 1 kilogram sheqer për vete, 1 kilogram sheqer do të len në pako. Në këtë mënyrë bëhet një mirësi njerëzve që të mos ngushtohen kur kërkojnë edhe fëmijët të blejnë diçka, lëmë edhe çokollada, lëmë edhe lëngje..”
“Dora e Artë” shtrihet edhe tek disa kategori të tjera të qytetarëve, të burgosurit dhe taksistët. Që të dyja këto kategori sipas Krasniqit, në një ose një tjetër mënyrë janë prekur nga virusi COVID 19.
SINKRON: Mensur Krasniqi, “Dora e Artë”
“Do t’i vizitojmë të burgosurit në burgun e Idrizovës dhe atyre planifikojmë t’ua përcjellim 30 pako ushqimore, me këtë do tu dërgojmë edhe disa dhjetra batanije dhe libra të ndryshëm që kjo të ndikon në vetëdijen e tyre dhe ata të rikthehen në shoqëri më të dobishëm. I parashohim në ndihmë edhe një kategori tjetër të goditur nga virusi i pandemisë COVID 19, ata janë taksistët, me qenë se gjatë orës policore ata nuk kanë mundur të punojnë, mendojmë se është mirë që atyre t’ua zgjasim dorën dhe t’ua zbusim zemrat, se paku në këtë muaj të mëshirës.”
Krasniqi foli më tej për aktivitetet e tjera të aksionit humanitarë “Dora e Artë”, ku shpërndarja fillimisht e 20 pakove ushqimore dhe më pas mbledhja e buxhetit të nevojshëm për edhe 67 pako të tjera të cilat do të shpërndahen nëpër familjet e nevojtarëve janë disa nga aktivitetet që e rrumbullaksojnë javën që lamë pas. Siç paralajmëroi Krasniqi, në bashkëpunim me shoqatën SOZVITA në Shkup, planifikojnë që t’u shpërndahen pako ushqimore edhe personave me aftësi të kufizuara, të cilët kanë gjendje të rëndë sociale.



