Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku kërkon shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut, për shkak të mungesës së tij të pandërprerë për më shumë se 3 muaj.
Shkresa i është dërguar kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, nga kreu i Grupit të Këshilltarëve të PD-së, Ilir Alimehmeti. Në të, PD argumenton se Veliaj ndodhet prej më shumë se tre muajsh në paraburgim dhe për këtë arsye është i pamundur për të ushtruar funksionet e tij si kryetar bashkie.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, ligji parashikon se kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur, ndër të tjera, ai nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3 mujore, siç përcaktohet në pikën c të dispozitës përkatëse.
“Kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitjes së pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj”, thuhet në dokumentin e firmosur nga Alimehmeti.
Mbledhja e kërkuar për datën 12 maj, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, pritet të jetë vendimtare për fatin institucional të Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, postin e tij e ka marrë Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se Veliaj u arrestua më 10 shkurt, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas një hetimi të gjatë të nisur nga SPAK. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.”
Në kuadër të të njëjtit hetim, Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt, është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa për pesë biznesmenë është caktuar e njëjta masë. Në listën e të hetuarve për korrupsion aktiv, të lidhur me tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës, përfshihen Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Përmbajtja e dokumentit
Lënda: Kërkesë
Të nderuar.
Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore, të ndryshuar, neni 62, shkronja e, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjavë. pasi ka filluar më datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.
Si rrjedhojë, kërkojmë:
Mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj.
Duke ju falënderuar,
Ilir Alimehmeti
Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike
Ilda Zhulali
Nënkryetare e Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike
Më poshtë dokumenti