28 Nëntor 2018 / 15:15
Drejtoria e Doganave dhe Policia Financiare akoma nuk janë të gatshme për pranimin e sinjalit të përgjimit nga Agjencia Teknike Operative. Edhe pse ATO-ja ka filluar me punë që në fillim të nëntorit, këto dy institucione të cilat për herë të parë do të mund të zbatojnë masën e përgjimit nëpërmjet Agjencisë, nuk kanë as pajisje dhe as kuadrot e nevojshme për këtë. Nga Drejtoria e Doganave jozyryarisht thonë se akoma nuk është përpiluar strategjia e punës dhe as nuk dihet se si do të vijojë ky proces. Sipas burimeve të Alsat, plani i punës për masën e përgjimit pas përpilimit duhet të dërgohet në Ministrisë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës por është e paqartë se sa do të zgjasë i gjithë procesi. Alsat u drejtua në mënyrë zyrtare për sqarime në Doganë por akoma nuk ka përgjigje. Ndërkohë nga Policia Financiare sqarojnë se për pranimin e kësaj mase, fillimisht nevojiten ndryshime në Ligjin për Policinë Financiare.
Akoma jemi të papërgatitur si institucion sepse duhet të bëhen disa ndryshime ligjore në ligjin për Policinë Financiare. Tani nuk është paraparë ai lloj kuadri që do të ishte kompetent për ndjekjen e përgjimeve. Në bazë të sistematizimit të ri, i cili është akoma në fazë përgatitore, për Policinë Financiare janë paraparë të paktën 40 persona që do të ndjekin procesin e përgjimit. Besoj se në seancë qeveritare javën e ardhshme nga Ministria e Financave do të dorëzohen ndryshimet të cilat i kemi përgatitur. Pa ndryshimet ligjore, unë si drejtor nuk mund të pranoj të dorëzohet ajo aparaturë për ndjekjen e masave të përgjimit. – theksoi Arafat Muharremi, drejtor i Policisë Financiare
Ndërkohë gjatë fillimit zyrtarisht me punë të ATO-së, drejtori Zoran Angellovski deklaroi se së shpejti edhe Policia Financiare por edhe Drejtoria e Doganave do t’i bashkohen procesit.
Kushte teknike për lidhjen e tyre ka. Pajisjet janë siguruar. Ka disa gjëra funksionale të cilat duhet të mbindërtohen që të mundet edhe ata të kyçen në sinjal. Pres që policia financiare relativisht më shpejt të inkuadrohet ashtu si organet e tjera të cilat janë të autorizuara me ligj për të pasur qasje te masat e veçanta të ATO-së.” – u shpreh Zoran Angellovski, drejtor i ATO-së
Sipas ndryshimeve të fundit në ligjin për ndjekjen e telekomunikimeve, organe të autorizuara për përgjim janë Prokurori Publik, Ministria e Punëve të Brendshme dhe sektorët e saj të zbulimit dhe kundërzbulimit, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e Doganës dhe në disa raste edhe Minsitria e Mbrojtjes. Agjencia Teknike Operative ka të drejtën ekskluzive të ndjekjes së telekomunikimeve duke marrë vetëm sinjalin i cili do të deshifrohet dhe transkriptohet vetëm nga institucionet e lartpërmendura, respektivisht institucioni i cili me urdhër gjyqësor ka kërkuar masën e përgjimit. Formimi i këtij institucioni të posaçëm pas skandalit të përgjimeve masive ilegale dhe keqpërdorimit të pajisjes së përgjimit nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Lume Dervishi
Loading…


