Blegtorët dibran janë të kënaqur nga prodhimtaria e djathit të bardhë, por edhe nga plasmani i tij. Përfaqësues të shoqatës së blegtorëve “Dashi” theksojnë se ka një rritje të prodhimtarisë të djathit që ka të bëjë drejtpërdrejt me të reshurat atmosferike dhe ndikimi i tyre në vegjetacionin të bujshëm në kullosat verore në malet Dibrës. Blegtorët në Dibër dhe Qendër Zhupë thonë se kualiteti i lartë i djathit të bardhë tradicional ka ndikuar edhe në shitjen e shpejtë të djathit, kryesisht në vendin tonë. Kryetari i shoqatës “Dashi”, Skënder Ame, na informoi se prodhimtaria e djathit këtë sezon është rritë për 10 për qind, që do të thotë se janë prodhuar mbi 600 ton djathë. “Bëhet fjalë për prodhimin e djathit të bardhë tradicional për të cilin ka kërkesa të mëdha në vendin tonë”, tregon Ame, ndërsa shton se çmimi i shitjes ka qenë 280-300 denarë për kilogram.
Djathi është shitur tërësisht edhe atë kryesisht në Shkup, Ohër dhe Dibër. Në shoqatën e blegtorëve theksojnë se edhe pse këtë vit djathi nuk është blerë nga ana e mërgimtarëve dibran, të cilët vite me radhë preferojnë që të blejnë djathë në vendlindje, përsëri plasmani i djathit është bërë pa probleme meqë sipas tyre, për shkak të pandemisë, furnizimi me djathë kryesisht është bërë nga prodhimi vendor dhe jo nga importi sikurse viteve tjera. Kryesia e shoqatës në fjalë në takimin e fundit ka vlerësuar se gëzon fakti që ka një rritje të djathit tradicional dibran, por njëkohësisht është shprehur edhe një kënaqësi nga çmimi i shitjes.
Një ndikim pozitiv në shitjen e djathit tradicional të bardhë ka edhe brendimi i këtij djathi për tregun vendas. Shoqata “Dashi” që grumbullon blegtorët të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ka informuar se numri i familjeve blegtore tashmë ka kaluar mbi 120. Pritet që ky numër të rritet, por një pengesë shihet tek sigurimi i punëtorëve plotësues në këtë sektor. “Kemi probleme me sigurimin e punëtorëve siç janë barinjtë dhe mjeshtrit e përgatitjes së djathit tradicional. Problemi është prezent vite me radhë dhe si i tillë pengon rritjen e prodhimtarisë”, thotë Skënder Ame, njëherësh një nga prodhuesit më të mëdhenj të djathit të bardh tradicional. Vendosja e panelave diellore në bjeshkët dhe objektet ku prodhohet djathi, thotë ai, kanë ndikuar po ashtu pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë së djathit, por edhe më tej kemi probleme me infrastrukturën rrugore deri tek objektet verore për prodhimin e djathit në kullosat malore.



