Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sali e ka cilësuar aktgjykimin si një ndëshkim ndaj luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit të Kosovës për liri.
“Aktgjykimi i sotëm në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është një ndëshkim ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Sali.
Ai ka theksuar se, sipas tij, UÇK-ja u krijua për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe se vendimet gjyqësore nuk mund ta ndryshojnë historinë e luftës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga nevoja për ta mbrojtur popullin e Kosovës, andaj pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e saj mbetet pjesë e historisë së lavdishme çlirimtare dhe e lirisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sali ka thënë se pret që procesi i apelit të mundësojë rishqyrtimin e vendimit.
“Drejtësia duhet të kërkohet deri në fund dhe besoj se procesi i apelit duhet ta japë mundësinë për një rishqyrtim të plotë të këtij vendimi”, ka shkruar ai.
Në fund, zëvendëskryeministri ka shprehur solidaritet me familjet e të dënuarve, bashkëluftëtarët e tyre dhe qytetarët e Kosovës.
“Liria e Kosovës e ka historinë e saj, i ka emrat e saj të përveçëm dhe ajo histori nuk fshihet kurrë”, ka përfunduar Sali.
The post Bekim Sali pas aktgjykimit në Hagë: Lufta e UÇK-së mbetet pjesë e historisë së Kosovës appeared first on TV-SHENJA.



