02 Shkurt
Kuvendi hapi diskutim publik mbi propozim ligjin për ndjekje të komunikimeve dhe Agjencinë Teknike-Operative. Kritika e ekspertëve u fokusuan kryesisht në Ligjin për ndjekje të komunikimeve. Sipas tyre, ky propozim krijon një mishmash mes ndjekjes së komunikimeve dhe Ligjit për procedurë penale. Eksperti Jove Jovçevski konteston ligjin për ndjekje të komunikimeve në 32 nene dhe 61 akte nënligjore.
Neni 17 është problem serioz në aspektin e aparaturës së veçantë sepse humb kuptimi i Agjencisë Teknike-Operative. Humb kuptimi i ATO-së dhe hapet mundësia për keqpërdorim sepse me këtë ligj për ndjekje të komunikimeve, organi që zbaton masat posedon edhe aparaturën – tha Jove Jovçevski, ekspert për ndjekje të komunikimeve.
Ekspertët rekomandojnë edhe saktësimin e situatave kur zbatohen masat e posaçme hetuese si dhe pavarësinë nga pushteti të institucioneve që duhet të zbatojnë këto ligje. Vlerësimet ishin pozitive për modelin e Agjencisë Teknike-Operative, përvec përfaqësuesve të operatorëve telekomunikues të cilët kërkojnë që harxhimet për sigurimin e aparaturës së ATO-së, t’i mbulojë ministria e Brendshme. Profesori universitar Bashkim Selmani rekomandon zgjedhjen e kuadrove profesioniste dhe përfaqësimin e elementit nacional.
Përkujdesja e dy elementeve. E para ka të bëj me buxhetin, sa ligji parasheh anën materiale dhe e dyta të bëhen përzgjedhje të individëve dhe t’u jepet rasti gjeneratave të reja të cilat janë në numër të madh dhe janë mjaft të zgjuar – deklaroi profesor universitar, Bashkim Selamni.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski shpjegoi funksionimin e siç u shpreh ai kontrollit të fortë ndaj punës së ATO-së.
Sipas ligjit, të drejtë për mbikëqyrje të punës së ATO-së do të kenë: Kuvendi, Drejtoria për sigurimin e informacioneve të klasifikuara, Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale, Avokati i Popullit dhe Këshilli për Kontroll Qytetar – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Një pjesë e ekspertëve vlerësuan se debati është i vonuar, por kryetarja e Komisionit për mbrojtje dhe siguri, Frosina Remenski shpjegoi se Rregullorja e Kuvendit mundëson që diskutimi të bëhet mes leximit të parë dhe leximit të dytë të propozim-ligjit. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kërkojnë të dinë se ku do të qëndrojë aparatura për ndjekje të komunikimeve, kush do të bëj porosinë e saj dhe cilit do t’i takojë përgjegjësia në rast keqpërdorimi. Në këtë kontekst, ata ngritin çështjen nëse në vend ka akoma pajisje mobile për përgjim dhe vallë ministria e Brendshme posedon informacion. Opozita maqedonase bojkotoi diskutimin. Përvec deputetëve, në diskutim nuk morën pjesë as kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të punës së DSK-së dhe Agjencisë së Inteligjencës, Trajko Veljanovski dhe kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të zbatimit të masave të posaçme hetuese, Emil Dimitriev.
Adrian Kerimi

