Për shkak të zjarrit që ka shpërthyer në depon e fabrikës Profix, në Qytetin e Tetovës disa rrugë janë të bllokuara.
Në pamjet e mëposhtme shihen automjetet e bllokuara në disa rrugë të qytetit, transmeton TS.
Për shkak të zjarrit sot u ndërpre edhe procesi edukativo-arsimor, duke i liruar nxënësit në shtëpi.
I pyetur për shkaqet që mund të kenë shkaktuar zjarrin, kryetari i Komunës së Tetovës Kasami tha se dyshohet që reshjet mund të kenë shkaktuar kontakt të rrymës me ujin, ndërkaq theksoi se të njëjtën do të duhet ta vërtetojnë autoritetet.
“Nuk ka ndonjë informatë zyrtare, sipas asaj të cilën e biseduam me pronarin por edhe me komandantin e njësisë kundër zjarrit, paramendohet se mund të ketë qenë nga vërshimet nga reshjet e mëdha të shiut që kanë qenë dje dhe pardje, mund të kanë qenë nga ndonjë kontakt i shkurtër i rrymës elektrike”, deklaroi Kasami.
Sa i përket cilësisë së ajrit Kasami në konferencë për shtyp tha se stacionet matëse të cilësisë së ajrit nuk tregojnë se ka rrezik nga tymi që po del si pasojë e zjarrit nga fabrika në Tetovë.
“Instrumentet të cilat matin, apo Stacioni matës i ndotjes është aktiv, pas intervenimeve që janë bërë. Sipas informatave, indikatorët të cilët i kemi marrë nga stacioni për matje të ndotjes, gjitha parametrat janë në kuadër të asaj që është e lejuar, nuk ka rrezik për ndotje, që mund të paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, tha Kasami.
Ai bëri thirrje që nxënësit nesër të kthehen në shkolla, dhe të vazhdojnë mësimin pasi nuk ka rrezik.
“Më lejoni që të bëj ftesë për të gjithë shkollat fillore dhe të mesme që nga dita e nesërme të vazhdojnë me procesin arsimor”, tha Kasami.