Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, pas takimit të tyre të mbajtur në Shkup, deklaruan se “Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes Maqedonisë dhe Malit të Zi nuk njohin kufij, sepse këto dy vende ndajnë të njëjtat vlera dhe kanë mision të njëjtë si për vete ashtu edhe për rajonin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të përbashkët për mediat, pas takimit të delegacioneve të të dyja vendeve, Dimitrov tha se Maqedonia dhe Mali i Zi ndajnë përkushtim të njëjtë për një të ardhme të përbashkët euroatlantike, për çka tha se ka uruar homologun malazez për anëtarësimin në NATO, duke premtuar se Maqedonia do të bëjë të pamundurën për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës.
“Sipas traditës sonë të vjetër, miqtë e mirë kthejnë dorën e shtrirë, në emër të perspektivës sonë të përbashkët për perspektivat e vendeve tjera të rajonit. Unë falënderova Darmanoviç-in për ndihmën e ofruar të Malit të Zi në aspektin tekniko-operativ dhe metodologjik në procesin e integrimit në BE sepse vendi i tij është në një fazë të avancuar”, tha Dimitrov.
Ai tha se ka falënderuar mysafirin edhe për përkrahjën të cilën e ofron vendi i tij për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sepse në samitin e fundit të Kartës së Adriatikut të mbajtur në Podgoricë, Mali i Zi dha një inkurajim të fuqishëm për anëtarësimin e Maqedonisë.
Në lëmin e bashkëpunimit ekonomik, tha Dimitrov, kemi një përkushtim të dyanshëm, mundemi edhe më shumë në drejtim të afrimit të komunitetit të biznesit duke prodhuar masa lehtësuese, siç është vija ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë sepse komunikimi është një vegël shumë e rëndësishme.
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, i cili bashkë me një delegacion qeveritar po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedon, nga ana e tij tha se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë të ngarkuara me çështje të hapura dhe paraqesin një shembull në rajon për bashkëpunim të shkëlqyer.
Për këtë në masë të madhe tha ai, kanë kontribuuar dy takimet e fundit të kryeministrave të dy shteteve respektive si dhe vizita e kryeparlamentarit të Maqedonisë në Podgoricë.

