Teksa vijojnë kërkimet për edukatoren Rudina Gërdani, 46 vjeçe, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj një djali të mitur në ambientet e kopshti, kanë nisur dhe hetimet për bashkëshortin e saj, I.Gërdani, 63 vjeç, pasi dyshohet se ka kërcënuar shtetasin Lorenc Rrapa, babain e 3 vjeçarit.
Ka qenë Lorenc Rrapa, babai i fëmijës së mitur ai që ka denoncuar bashkëshortin e edukatës, pasi është shprehur se e ka kërcënuar përmes telefonatave për të mbyllur çështjen pa përfshirjen e uniformave blu.
“Edukatorja e ka marr vesh, më kanë telefonuar, më kanë bërë presion, burri i vetë më ka thënë mos ik në polici se e zgjidhim ndryshe. unë i kam thënë nuk zgjidh për fëmijën tim asgjë kështu i thash. Ai më tha “do shihemi ndryshe bashkë”, “Si të duash shihemi i thash”. Kam shkuar në komisariat mbrëmë. Bera kallëzimin e çdo gjë ka qenë në rregull. Nëpërmjet kërkimeve të mia personale mora vesh që edukatorja nuk është paraqitur në Komisariat. Sot shkova prapë te komisariati, te oficeri i policisë kam bërë një kallëzim tjetër sepse më kanë bërë prapë presion njerëzit e saj. Unë dua të them që unë nuk trembem.
Unë nuk trembem nga njerëzit e Rudinës. Unë jam gjithë ditën nga ora 6 e mëngjesit në 6 pasdite në Tiranë. Mua më gjeni ku të doni. Unë nuk trembem. Më kanë bërë presion duke më marrë edhe nga shtete europiane. Më marrin edhe miq të mitë. U kam thënë të mos më marrin më për këtë. Ata duan të mos e vazhdoj më historinë e Priamit, por unë gjakun e fëmijës tim nuk e shes. Jam shumë… nuk e fal unë gjakun e fëmijës tim, nuk e fal atë shpullë”, tha Lorenc Rrapa, në një intervistë në Euronews
NJOFTIM
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 proceduan në gjendje të lirë shtetasin I. G., 63 vjeç (bashkëshorti i shtetases R. G, e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në kopshtin ku punonte si edukatore). Procedimi nisi pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ky shtetas ka kanosur shtetasin L. Rr (babai i të miturit).