Parlamenti i Republikës së Maqedonisë, vazhdon të përcjellë rekomandimet dhe propozimet e BE-së, dhe është e gatshme që të njejtat t’i implementojë në procedura. Ky ishte konkluzioni i përbashkët i kreut të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe eurodeputetit Ivo Vajgëll, pas takimit të tyre.
Ata prezantuan Dialogun Zhan Mone, të cilën e cilësojnë si një formë të dialogut të hapur mes përfaqësuesve dhe ekspertëve të Parlamentit të Maqedonisë dhe atij evropian, për të diskutuar për çështje me rëndësi për vendin.
Kreu i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi sqaroi se ky dialog, nuk është vazhdim i Marrëveshjes së Përzhinos, dhe qëllimi i tij nuk është që të bëjë ndryshime tek agjenda e reformave të krijuara dhe pranuara nga Qeveria e Maqedonisë dhe as tek reformat e rekomanduara nga Pribe, por vetëm mundësi për diskutim të hapur pa presione të publikut dhe medias.
TALAT XHAFERI, KRYETAR I PARLAMENTIT
“Parlamenti është i gatshëm që edhe sipas përfaqësuesve të partive politike të hap procesin e ashtuquajtur të dialogut ‘Zhan Mone’, i cili ashtu siç u konkludua edhe gjatë ditës së djeshme, në asnjë mënyrë nuk nënkupton vazhdimin e procesit të bisedimeve që kanë ndodh në të kaluarën në Shkup dhe rreth Shkupit, por ka të bëjë me nismën e re dhe me gatishmërinë e re të përbërjes parlamentare këtu dhe subjeketeve politike në Parlament, që në formën e dialogut që do të zhvillojnë, të arrijnë deri tek zgjidhjet e pranueshme, të duhura për gjithë ne, që të mund atë rekomandim reformues dhe në procesin reformues që jemi tani ta zbatojmë në kohën më të shkurtë të mundshme”
Eurodeputeti Ivo Vajgëll, tha se Parlamenti Evropian e mbështet zgjerimin e BE-së, dhe sheh drejt anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit të Evropës Juglindore në BE. Ai shtoi se është shumë me rëndësi që Maqedonia të realizojë programin e reformave, pasi sipas tij, ajo do të jetë një prej kritereve dhe mundësi për hapje të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE. Vajgëll nuk deshi të spekulojë mbi data, por siguroi se Parlamenti Evropian do ta mbështesë secilin hap pozitiv të Maqedonisë në këtë drejtim. Ai është i inkurajuar me atmosferën e ndjerë me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
IVO VAJGËLL, EURODEPUTET
“Unë si raportues për Maqedoninë në PE, kisha kënaqësinë të dëgjoj vullnet dhe dëshirë nga të gjitha partitë politike që ta vendosin interesin e shtetit në plan të parë dhe të përfshihen në dialog konstruktiv i cili do të jetë në dobi të vendit. Jam shumë i inkurajuar me atmosferën që e kam ndjerë me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare, shihet qartë se po përhapet shpirti i bashkëpunimit”
Dialogu “Zhan Mone”, do të realizohet në shtëpinë e Zhan Monesë në Paris, dhe nënkupton një takim mes grupeve parlamentare, gjegjësisht do të marrin pjesë nga një koordinaro i secilit grup parlamentar, nga një deputet dhe nga një përfaqësues i shërbimit të partive politike.
Në këtë konferencë po ashtu do të marrin pjesë edhe komisioneri për zgjerim Johanes Han dhe përfaqësues të qeverisë franceze. Ky dialog do të realizohet larg syve të opinionit dhe do të diskutohet mbi rregulloren, kodeksin etik për deputetët si dhe sundimin e së drejtës. Takimi është paraparë në javën e fundit të janarit. Ajnur Bafqari /SHENJA/

