Të tjera detaje zbulohen nga operacioni i SPAK që po zhvillohet ditën e sotme në Krujë, ku ka pasur 4 urdhër-arreste dhe është arrestuar gjyqtarja Enkeleda Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se sipas hetimeve disa mujore rezulton se gjyqtarja Hoxha kishte marrë bashkë me avokatin Aldo Tabaku një shumë të konsiderueshme parash për lirimin me kusht të një dënuarit për vrasje që vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Krujë.
“Oficerët kanë shkuar tanimë në burg për t’i komunikuar këtij personi akuzën e re. Neës24 e disponon emrin e të dënuarit, por rezervojmë të drejtën për të mos e dhënë këtë informacion deri në komunikimin e akuzës ndaj tij.
Ka të dhëna dhe prova sipas SPAK që gjyqtarja Hoxha dhe avokati Tabaku kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash për të favorizuar lirimin e të dënuarit. Hoxha ishte vënë në vëzhgim dhe nën shënjestrën e akuzave pas firmosjes së disa vendimeve për lirimin e personazheve të njohura të botës së krimit. Operacioni vijon ende dhe po kryhen kontrolle edhe në banesat e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtarinë kriminale”, tha Lala.



