Gazetari Enton Abilekaj deklaron se problemi i pushtetit lokal në Shqipëri nuk lidhet me numrin e bashkive, por me mënyrën se si ato janë menaxhuar nga qeveria.
Sipas Abilekajt, qytetarët nuk duhet të shqetësohen për ekzistencën e një bashkie, por për cilësinë e shërbimeve që marrin. Gazetari theksoi se përmirësimi i shërbimeve nuk varet nga afërsia fizike e bashkisë, por nga përgjegjshmëria dhe menaxhimi i drejtuesve vendorë.
Sipas tij, debati për reformën territoriale duhet të fokusohet te mënyra e funksionimit të pushtetit lokal dhe përmirësimi i ligjit, jo vetëm te numri i bashkive.
‘Dëshira e mirë, po të jemi të qartë, dëshira e qytetarëve duhet të jetë të marrin shërbime, jo të shërbejnë për ekzistencën e një bashkie sepse ikin kryetarët dhe administrata. Sepse ato protesta janë të kryetarëve dhe administratës, çfarë fiton nga kjo bashki?
Qytetarët nuk kanë marrë shërbime dhe ne e dimë të gjithë që s’kanë marrë. Ne e dimë që shërbimet bazë tani po digjitalizohen dhe nuk kanë nevojë as të shkojnë te zyrat e gjendjes civile.
Prandaj them që duhet një menaxhim. Sepse ne kanalet i bëjmë, po në fund fare nuk janë. Se bashkitë i marrin fondet për kanale, po në fund fare nuk ekziston asnjë kanal.
Pra, duhet që përmirësimi i shërbimit, e kam fjalën, përmirësimi i shërbimit nuk varet nëse ti e ke bashkinë te dera e shtëpisë apo e ke bashkinë në Tiranë.
Përmirësimi i shërbimit varet nga kërkesa e llogarisë dhe nga niveli i lartë i menaxhimit. Në qoftë se ka kërkesë llogarie nga qytetarët, rritet niveli i shërbimit. Ai nuk do çojë atje atë që i vjedh votat me krimin e organizuar, por do çojë atje një njeri që e menaxhon mirë bashkinë, menaxhon fondet dhe i bën shërbim qytetarit.
Kështu që unë mendoj që kjo nuk duhet të njihemi për këtë gjë, por duhet të debatojmë se si do të funksionojë pushteti lokal dhe si do të përmirësohet ligji për shërbimet në nivelin e pushtetit lokal. Sepse ne nuk kemi fare shërbime, pothuajse i kemi zero nivelin e shërbimeve të pushtetit lokal.
Është çështje e zgjedhjes së përfaqësuesve në pushtet lokal, të cilët në përgjithësi pushteti lokal është shërbim civil, është pushtet civil, nuk është pushtet shumë politik, pavarësisht se partitë politike e zgjedhin. Pushteti politik fillon në parlament dhe përfaqësohet pastaj në qeveri dhe kjo reflektohet te këshilltarët bashkiakë, jo te kryetarët e bashkive.
Pra, ata janë përfaqësuesit politikë që i kërkojnë llogari drejtuesit që duhet të jetë kryesisht teknik. Nejse, këto janë gjëra që duhen diskutuar teknikisht, besoj duhet të ishin diskutuar teknikisht në Komisionin e Reformës Territoriale. Shpresojmë që deri në shtator të ketë një diskutim të vërtetë mbi ndarjen dhe të shikohen gabimet, në qoftë se ka, dhe të rishikohet dhe ligji.
Por numri në vetvete nuk është domethënës, përkundrazi, një numër më i vogël krijon mundësitë për një menaxhim më të mirë. Dhe sigurisht që nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim që bëri forca politike që është sot në pushtet, Partia Socialiste dhe Edi Rama, që megjithëse uli numrin e bashkive, rriti numrin e të punësuarve në pushtetin lokal. Sepse i duheshin për vota.
Pra, në qoftë se e sheh pushtetin si makinë për të bërë vota, do kalosh nga gabimi në gabim dhe nga dështimi në dështim, dhe pastaj do ia vësh fajin ligjit për reformën territoriale. Jo! Nuk ka dështuar reforma territoriale e 2015-ës. Ka dështuar qeveria me mënyrën që ka zgjedhur Edi Rama ta menaxhojë pushtetin lokal.
Me heqjen e kompetencave për të gjithë sektorët, dhe me emërimet nga një parti e vetme të kryetarëve të bashkive të cilët nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër përveçse të bëjnë favore për të blerë vota.’, tha ndër të tjera gazetari Enton Abilekaj në SYRI TV.



