Një delegacion i lartë ushtarak i Gardës Kombëtare (GK) të shtetit federal Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kryesuar nga komandanti i saj, gjeneral-majori Stiven Krej filloi vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë, raporton AA.
Pas pritjes në shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) nga kryeshefi i saj, gjeneral-nënkoloneli Metodija Veliçkovski, u realizua një takim pune.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, delegacioni nga Vermonti është njohur me aktivitetet e ARM-së në periudhën e shkuar para se gjithash me përvojat e fituara të ARM-së gjatë angazhimit të saj lidhur me ndjekjen dhe përballjen me krizën e migrantëve dhe me pasojat e përmbytjeve në Shkup.
Theks i veçantë është vënë në mënyrën e veprimit dhe organizimit të situatave emergjente, menaxhimi me personelin si dhe koordinimi me institucionet shtetërore.
Gjenerali Veliçkovski nga ana e tij ka theksuar miqësinë e sinqertë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të ARM-së me Gardën e Vermontit, e cila është zbatuar me pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqeruajtëse, realizimin e shumë stërvitjeve të përbashkëta si dhe me trajnimin dhe edukimin e pjesëtarëve të dy armatave.
Gjenerali Cray, tha se ishte krenar për bashkëpunimin me ARM-në për të shtuar se miqësia e ndërtuar në vitet e kaluara do të thotë partneritet.
Gjatë qëndrimit të tij Shtabin e Përgjithshëm, Cray u prit edhe nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski. Delegacioni i Gardës Kombëtare të Vermontit, gjatë ditës do të vizitojë Batalionin e Inxhinierisë dhe Policinë Ushtarake, ndërsa të martën me gjeneralin Veliçkovski do të vizitojnë njësitet në kufirin jugor.