Eurodeputeti bullgar nga radhët e GERB-it, Andrej Kovaçev kërkon që Partia Popullore Evropiane të përjashtojë VMRO-DPMNE-në, e cila është pjesë e kësaj “familjeje” partish nga qendra e djathtë në Evropë. Ky reagim i tij vjen pas qëndrimeve të zv.kryeministrit Aleksandar Nikollovski lidhur me vizitën e Davkovës dhe mos vendosjen e flamurit të Maqedonisë. Kovaçev vlerëson se VMRO-DPMNE në çdo mënyrë tregon se dëshiron t’i bashkohet partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orbán sepse siç thotë ai po largohet nga vlerat e PPE.
“Partia Popullore Evropiane është e informuar për politikën e VMRO-DPMNE-së ndaj Bullgarisë. Ka opsione për të ngrirë anëtarësimin dhe për të hequr partinë nga grupi”, deklaroi Andrej Kovaçev, Eurodeputet i Bullgarisë.
Ai thotë se seritë e provokimeve nga pala maqedonase në asnjë mënyrë nuk janë të shkaktuara nga Bullgaria, por edhe se Bullgaria nuk po i përdor këto tema për fushatën parazgjedhore, siç akuzojnë politikanët maqedonas.
Edhe lideri i partisë së ekstremit të djathtë bullgar Prerodba, Kostadin Kostadinov, ka njoftuar se do të dorëzojë në Kuvend një projekt-deklaratë për të dënuar, siç thotë ai, ringjalljen e gjuhës së urrejtjes nga Shkupi zyrtar.
Duke komentuar paralajmërimet për përjashtimin e VMRO-së nga Partitë Popullore Europiane, kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së Micksoki tha se po të ishte 1 prilli do të ishte shaka e mirë. Mickoski tha se Maqedonia kujdeset për interesat e saj.
“Më vjen keq që në mungesë të një vizioni, projektesh, strategjie dhe politikash serioze, tema kryesore në Bullgari dëshirojnë të jetë Maqedonia dhe çështja maqedonase, por kjo është zgjedhja e tyre, jo e jona. Më në fund, për të shtatën herë, le të zgjedhin një qeveri të qëndrueshme politike me të cilën ne si Qeveri do të mund të ndërtojmë marrëdhënie reale të fqinjësisë së mirë dhe bashkërisht të ecim drejt rrugës së integrimit të plotë të vendit tonë në BE. Kjo pritet nga fqinjët e mirë dhe prandaj ka një marrëveshje që quhet marrëveshja e fqinjësisë së mirë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ditë më parë zv.kryeministri Aleksandar Nikollovski duke komentuar mungesën e flamurit të Maqedonisë në fotografinë e përbashkët të Radevit dhe Siljanovska-Davkovës, tha se nikoqiri nuk është i civilizuar dhe se më të mjerë janë siç tha ai shërbëtorët në vend.