238 mijë nxënës nesër do të fillojnë vitin e ri shkollor, nga të cilët 174 mijë janë nxënës të shkollave fillore dhe 64 mijë janë nxënës të shkollave të mesme. 14,952 nxënës të klasës së parë nesër do të ulen për herë të parë në bankat shkollore , ka deklaruar ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Janevska theksoi se rrjeti shkollor është optimizuar dhe se kushtet në shumë shkolla janë përmirësuar ndjeshëm. Ajo bëri të ditur se për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, është punësuar numër i madh i asistentëve arsimorë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Për të tretin vit radhazi, tekstet shkollore janë siguruar në kohë dhe në sasinë e kërkuar nga shkollat. Ato tashmë janë shpërndarë dhe që nesër mund t’u dorëzohen nxënësve. Jam e kënaqur që çështja e teksteve shkollore nuk është më një sfidë, siç ishte në të kaluarën. Këtë vit janë siguruar 622 mijë tekste shkollore dhe janë realizuar kursime prej 50 milionë denarësh, krahasuar me vitin para se të merrja drejtimin e këtij institucioni”
Janevksa njoftoi se në 620 objekte shkollore, nga gjithsej 1.023 në arsimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet me një ndërrim. Ajo tha se ky është një koncept për të cilin angazhohet Qeveria, sepse sjell më shumë përfitime, ndërsa më të rëndësishmet janë interesat e fëmijëve – përqendrim më i madh gjatë orëve mësimore, socializim më i madh, qëndrimi në shkollë për një kohë të mjaftueshme për të përvetësuar të gjithë materialin dhe për të fituar aftësitë e duhura.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Ne i mbështesim komunat që të zhvillojnë mësimin në një ndërrim në sa më shumë shkolla dhe në këtë drejtim po ndërtojmë objekte të reja dhe po zgjerojmë klasat ekzistuese. Aktualisht, Ministria dhe Qeveria po zgjerojnë kapacitetet e 14 shkollave në Qendër, Karposh, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Butel, Ilinden, Gazi Babë dhe Gradsko, ndërsa edhe 15 projekte të tjera do t’i fillojmë në mënyrë etapore gjatë muajve të ardhshëm.”
Janevska tha se për shkak se nuk kanë nxënës të regjistruar, nga shtatori do të mbyllen përkohësisht 26 shkolla periferike dhe se numri i përgjithshëm i objekteve shkollore bosh në Maqedoni, kryesisht në zonat rurale, është 148.
Viti i ri shkollor 2026-2027 fillon nesër dhe mësimi për të gjithë nxënësit do të zgjasë deri më 10 qershor, përveç maturantëve, të cilët përfundojnë më 17 maj.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



