Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, e ka dërguar në Këshill të Etikës ish-rektorin e UP-së, Enver Hasani, duke e denoncuar për shkelje të rënda të Kodit të Etikës të Universitetit të Prishtinës.
Duke iu referuar gjetjeve pas hulumtimeve të shumta nga Agjencia për Akreditim e Kosovës, dekani Avni Puka e ka denoncuar profesorin Enver Hasani se nuk ka mbajtur asnjë ligjëratë gjatë vitit akademik 2023/2024 dhe se e ka vënë në lajthitje Fakultetin Juridik, duke u kompensuar për normë e mbi normë pa mbajtur mësim.
Sipas dekanit Puka, profesor Enver Hasani ka përfituar mbi 15 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme.
“Siç e keni parë edhe Ju, z.Enver Hasani është denoncuar, ndër te tjera, edhe për mos mabajtje të ligjëratave dhe mashtrim te institucionit. Meqenëse ne monitorohemi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) për mbarëvajtjen e mësimit dhe programeve, ky rast është konstatuar edhe nga Agjencia, se z. Hasani nuk ka mbajtur mësim gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024, e duke përfituar pagesa për normë dhe mbi normë”, ka thënë dekani Puka, raporton RTK.
Gjithashtu, është denoncuar për marrje të thirrjeve akademike në mënyrë të kundërligjshme në kohën kur ka qenë rektor, si dhe për dëmtim të imazhit të vazhdueshëm të institucionit, fakultetit dhe universitetit.
“Pas përfundimit procedurave në mënyrë institucionale nga organet kompetente do të mund të prononcohemi. Unë mendoj dhe jam i bindur se kështu është më korrekte, sepse në ketë mënyrë funksionon rruga juridike dhe akademike, ka deklaruar Puka.
Por veprimi i Pukës është cilësuar si huliganizëm institucional dhe abuzim me pushtetin nga Enver Hasani, i cili e kishte akuzuar kohë më parë dekanin Avni Puka për plagjiaturë dhe mashtrim me doktoratë.
“Jam në pamundësi për të bërë prononcim live sepse nuk jam afër jush, jam në lëvizje. Lidhur me rastin, ndërkaq, mund të them për sa vijon: Sajimi i rastit nga Avniu përbën huliganizëm institucional dhe abuzim me pushtetin, me të vetmin synim që unë ta mbyll gojën e të mos flas më për diplomën e tij false”, ka thënë ish-rektori Hasani.
Ndërsa, në kontakt më Këshillin e Etikës, ata kanë thënë se ky Këshill e ka pranuar denoncimin dy ditë më parë, janë në shqyrtim të tij por që nuk deklarohet për medie. /RTK/