“Panorama” zbardh detaje të reja nga ngjarja e rëndë në një familje në Levan të Fierit, ku një grua përfundoi në spital me plagë të rënda për shkak të dhunës së bashkëshortit të saj.
Mësohet se çifti jeton në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe janë prindër të tre fëmijëve të mitur.
Një nga fqinjët e tyre ka treguar se sherri ka nisur për tabletin ku shikonin kukullat vajzat, që nuk po punonte.
Ndërkohë fqinjë të tjerë pranojnë që autori, Sajmir Mersini dyshohet se ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se ka qenë i shtruar për disa ditë në spitalin psikiatrik të Vlorës.
Banorët e pallatit tregojnë se Mersini dyshohët që ta ketë qëlluar gruan e tij me sëpatë, dhe ajo ka dalë jashtë banesës duke ulëritur për të kërkuar ndihmë.
“Vajzat ishin brenda në shtëpi. Më tha mua që kishte ngecur tableti e nuk punonte, mbase s’kishte internet në atë kohë, ja për këtë u zunë.
E shkreta nuk e di. Të tërë bëjmë nja dy llafe me burrat në shtëpi, po që ta kishte të theksuar….. Po edhe pinte nganjëherë. Punonin me kanace, janë shumë të varfër. Edhe në kohën e Enverit nuk ishte ajo jetesë.
Ekonomia e bën sherrin të gjithë. Ajo ka qenë zonjë grua, i mban vajzat i çon në shkollë përditë. Nuk ua dimë mirë problemet. Që të ndodhë kjo nuk është gjë e mirë”, thanë dy fqinje të ciftit.
Keni dëgjuar britmat e gruas?
“Po komplet këtu pallati e lagjia këtu u mblodhën. Me sëpatë thonë po di unë. Dhunë ka përdorur ka vajtur edhe në burg e është kthyer prapë, se është i sëmurë, ai ka qenë edhe në Vlorë”, tha nje tjeter fqinj.



