5 Nëntor 2018 / 15:53
Për dhjetë ditë ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski duhet të dorëzojë në Qeveri propozim-modelin për reforma në shërbimet e sigurisë, por modeli ende kërkohet. Në tryezë të përbashkët me ekspertë, ministri Spasovski dhe drejtorët e DSK-së dhe Agjencisë për kundërzbulim sërish diskutuan sot se cili prej tre modeleve paraprakisht të paralajmëruara është më i mirë. Njëri është që shërbimet e sigurisë të mbeten të organizuara sikur deri tani, gjegjësisht DSK-ja të mbetet në MPB, ndërda Agjencia e Inteligjencës – organ i posaçëm. Modeli i dytë është DSK-ja të jetë jashtë MPB-së, si agjenci qeveritare, ndërsa modeli i tretë parashikon të formohet një agjenci krejtësisht e re që do t’i bashkojë edhe DSK-në dhe Agjencinë e Inteligjencës.
MPB-ja është e gatshme për cilindo nga tre modelet, nëse do të ndahet, nëse do të mbetet në kuadër të MPB-së, nëse do të formojmë çfarëdo agjencie tjetër, më e rëndësishme është që në procesin e reformave të ketë vullnet politik…“- u shpreh Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Për profesorët e Fakultetit të Sigurisë, problem është fakti se në shtet 20 vite nuk ka kurrfarë reformash në sektorin e sigurisë. Ata do të dorëzojnë edhe propozimet e tyre.
Pamundësia që nën një kapelë të jenë edhe Drejtoria e Sigurisë dhe kriminaliteti klasik, ndërsa të pakrahasueshme janë afatet kohore – edhe të parët edhe të dytët duhet doemos të punojnë sipas rregullativës së njëjtë ligjore”- theksoi Prof. Dr. Marjan Nikollovski nga Fakulteti i Sigurisë – Shkup.
Duhet të formohet trup suprem, me emrin Këshilli për siguri kombëtare që do ta ketë rolin e tij përmes dy nëntrupave të tij, Byroja për koordinim dhe kabineti i Këshillit të ushtrojë përcaktimin praktik të prioriteteve shtetërore në planin e sigurisë-inteligjencës”- tha Prof. Dr. Tome Batkovski nga Fakulteti i Sigurisë – Shkup.
Pushteti deri tani ka shqyrtuar modele të ndryshme evropiane për reformën në sektorin e sigurisë-inteligjencës, por ministri Spasovski shprehet se kopjimi i cilitdo modeli të huaj nuk është mënyra adekuate e reformës. Sipas tij nevojitet reforma e potencialit njerëzor, që shërbimet të demokratizohen dhe të lirohen nga frenat partiake.
Alsat


