Profesor Ahmet Davutoglu, në intervistën për Emisionin “PikëPamje”, në Televizionin SHENJA, ka folur për përpjekjet për themelimin e një sistemi të ri regjional në Ballkan. Ai përmend nevojën për bisedime të nivelit sa më të lartë.
“Liderët politik duhet të shihen më shpesh, t’i zgjidhin problemet duke biseduar. E dyta, duhet krijuar një pellg paqësor. Pra, kushdo që e kërcënon sigurinë e Ballkanit, qoftë këto grupe terroriste, grupe të ndryshme kriminale, grupet radikale apo raciste, apo ndonjë kulturë konfliktuoze që do t’na bënte t’i përjetojmë dhembjet e ngjashme si ato të Bosnjës, kundër të gjitha këtyre duhet ta ndërtojmë një koncept të sigurisë”, ka thënë Davutoglu.
Ish-kryeministri turk përmend edhe faktorët tjerë të rëndësishëm, ndërvarësinë reciproke ekonomike. Ai shpjegon se shtetet që janë të ndërvarura ekonomikisht nuk luftojnë, ngaqë kostoja e luftimit është e lartë, e në mungesë të një ndërvarësie të tillë ekonomike, lufta është në gjendje gatishmërie. Dhe për këtë, profesor Davutoglu përmend një shembull.
“Tabloja që më ka bërë përshtypje më së shumti, gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, janë bunkerët e shumtë të ndërtuar në qytete të ndryshme nga Enver Hoxha. Ata bunkerë nuk u përdorën kurrë, Shqipëria nuk u pushtua asnjëherë as gjatë periudhës së Hoxhës e as më vonë. U ndërtuan në saje të një detyrimi ideologjik. Sikur paraja e harxhuar në ata bunkerë të jetë shpërndarë në mesin e popullit shqiptar, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk do të ishte një vend kaq i prapambetur, por përmes bregdetit dhe gjeografisë saj të pasur do në gjendje shumë më të mirë. Për një luftë të paqenë, i ka mbartur të gjitha resurset dhe paramendoni në të njejtën Shqipëri, të gjitha kishat dhe xhamitë u shkatërruan, për hirë të një ideologjie. Tash si do ta vështronit Shqipërinë, si pjesë e pellgut qytetërimor Islam, apo një vend që i përket një ideologjie dogmatike marksiste, një ideologji anti-islame, kend do ta kishim fajësuar për një përfundim të tillë të Shqipërisë, ngjashëm siç e dhash edhe shembullin e Beshar Asedit, pak më parë”, deklaroi ish-kryeministri Davutoglu.

