Ish-kryeministri i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutogllu, po qëndron në një vizitë treditore në Maqedoni, ku do të zhvillojë takime me krerët e shtetit dhe të partive politike. Pjesë e vizitës së Davutogllut janë edhe disa ligjërata akademike. E tillë ishte edhe një ligjëratë nderi të cilën ish-kryeministri i Turqisë e mbajti sot në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, ku tha se kur është në mesin e studentëve, e ndjen veten si në shtëpi. Të njëjtat fjalë, Davutogllu i tha edhe për Shkupin.
Ahmet Davutogllu, ish-kryeministër i Turqisë
“Ndjehem sikur në shtëpi kur jam nëpër universitete. Po ashtu, ndjehem sikur në shtëpi kur jam në Ballkan, posaçërisht në Shkup. Shkupi për mua është sikur vendlindje. Së fundmi kam botuar një libër të ri dhe një ndër arsyet e vizitës sime në Shkup është promovimi i këtij libri në gjuhën shqipe dhe maqedonase, “Qytetërime dhe qytete”. Në ktë libër kam bërë referencë speciale për Shkupin, si qytet i kulturës autentike dhe si qytet ku kanë bashkëjetuar kultura të ndryshme në një mënyrë inkluzive”.
Profesori Davutoglu nesër do t’i prezantojë librat e tij të përkthyera në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase, ndërsa do të marrë pjesë edhe në një debat me temë “Qytetërimet dhe Qytetet”, të organizuar nga Shtëçia Botuese Logos A.
Ndërkohë, Davutogllu sot ka zhvilluar edhe takime me liderët politik. Davutogllu takoi kryeministrin Zaev, ku u konstatua se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO, do të nënkuptonte rritje të stabilitetit dhe rritje të standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë.
Zoran Zaev, kryeministër
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përkushtuar për procesin reformues të rendlsishëm për jetën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, si dhe për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Miqësia mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë do të vazhdojë të zhvillohet në frymën demokratike”.
Davutogllu gjithashtu zhvilloi takime edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin,si dhe me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin, ku shprehi mbështetjen për procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Abdulla Berisha /SHENJA/

