Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve, njoftoi zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti.
Sipas Dautit, aksioni nisi pas një informacioni të siguruar nga Departamenti i Inteligjencës. Ekipet mobile ndërmorën veprime operative në pikën kufitare Dojran, në dalje të vendit, ku ndaluan një kamion që transportonte 79 kilogramë marihuanë, e destinuar për tregun turk.
Në kuadër të aksionit është arrestuar edhe shoferi i kamionit, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës.
Hetimet kanë treguar se kamioni kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut me një ngarkesë profilesh hekuri, të cilat duhej të transportoheshin drejt Greqisë. Në një lokacion të paracaktuar, pas marrëveshjes me persona nga Maqedonia e Veriut, në kamion ishte ngarkuar marihuana.
Automjeti më pas ishte vulosur dhe kishte vazhduar rrugën drejt Greqisë, por u ndalua në pikën kufitare Dojran.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në rast.




