Prej sot nis zbatimi i fazës së parë të sistemit elektronik të faturimit tatimor përmes sistemit e-fakturë. Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, deklaroi se sistemi i ri do t’u mundësojë kompanive të lëshojnë fatura tatimore në mënyrë elektronike, t’i nënshkruajnë ato me E-ID të personalizuar, të njëjtat edhe t’i validojnë automatikisht. Sipas saj, kjo do të thjeshtojë procedurat administrative, do të shkurtojë procesin e tatimit dhe do të rrisë transparencën. Faza testuese e kyçjes në sistem pritet të përfundojë në tremujorin e tretë, ndërsa kompanitë gjatë gjithë kohës do të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë nga punonjësit e DAP-it.
“Sa i përket zbatimit të detyrueshëm të e-faturës, ai do të përcaktohet me zgjidhjen ligjore që do ta përpilojë Ministria e Financave. Pas përfundimit të fazës testuese dhe pasi të sigurohemi për të gjitha performancat e sistemit dhe gatishmërinë e kompanive, më pas do të bëhet i detyrueshëm zbatimi i e-fakturës.”, – deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
Sistemi i ri elektronik tatimor, përveçse do të eliminojë përdorimin e tepërt të letrës dhe dorëzimin fizik të dokumenteve në DAP, do të ulë edhe shpenzimet administrative të kompanive, tha me këtë rast ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Kocevska. Me e-faturën, shteti dëshmon angazhim në luftën kundër ekonomisë gri, rrit transparencën dhe zbaton politika të përgjegjshme.
“Zbatimi i e-fakturës është pjesë e qasjes sistemore të Qeverisë në përballjen me ekonominë informale. Është një qasje që rrit transparencën dhe forcon besimin e qytetarëve, organeve tatimore dhe komunitetit të biznesit. Kjo është një qasje me të cilën ndërtojmë partneritet për një ekonomi më të shëndetshme dhe më konkurruese, me norma më të larta rritjeje, më shumë investime, vende të reja pune dhe paga më të larta. E-faktura, si pjesë e kësaj qasjeje sistemore, nuk është vetëm një zgjidhje teknike, por themel i një ekonomie moderne dhe të përgjegjshme, në të cilën çdo pjesëmarrës ka kushte të barabarta, ndërsa shteti disponon të dhëna të sakta për hartimin e politikave të përshtatshme ekonomike në dobi të qytetarëve dhe ekonomisë.”, – theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Kocevska.
Autoritetet e vendit shpresojnë se përmes transformimit digjital të sistemit tatimor dhe e-fakturës, shteti do të arrijë të arkëtojë më shumë mjete në buxhet, duke u bazuar në të dhëna të sakta dhe të përditësuara të kompanive në kohë reale. Në këtë mënyrë sigurohen kushte të ndershme për punë dhe krijohet bazë për rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve, u tha me këtë rast.


