Kryediplomati serb Ivica Daçiq ka folur edhe sot për tensionimin e raporteve me Maqedoninë. Ai ka thënë se Shkupi duhet ta dijë mirë se për çka janë dakorduar deri tash. Në këtë frymë ia ua rikujtuar zyrtarëve maqedonas “diçka e tillë nuk u bëhet miqve”. Por, shefi i diplomacisë serbe nuk sqaroi as sot se çfarë ishte “mëkati” i zyrtarëve të Shkupit.
Duke tejkaluar situatën, Daçiq thotë se Serbia dëshiron raporte të mira me të gjitha shtetet e rajonit.
“Serbia dëshiron ta qetësojë situatën e sapokrijuar me Maqedoninë e cila nuk bazohet në supozime, por në fakte të konfirmuara pa mëdyshje të cilat flasin për veprimin e përforcuar ofensiv ndaj Serbisë”, deklaroi Daçiq për televizionin serb “Pink”.
Ndërkohë, në vijim Daçiq ka folur për rrethantat që supozohet se mund të jenë shkak për këtë incident diplomatik. Ai ka thënë se
Serbia ishte shumë korrekte dhe konstruktive dhe nuk është përzier në punët e brendshme të Maqedonisë, madje edhe, siç thotë, në kohërat me turbulenca kur kishte protesta të përditshme.
“Nuk ekziston asgjë në bazë të çka do të mund të konfirmohet se Serbia në cilën do mënyrë ka ndërmarrë diçka kundër interesave të Maqedonisë. Përkundrazi, kishim parasysh se kjo është republikë e ish-Jugosllavisë, vazhdimësinë e të cilës Serbia e vazhdoi me Maqedoninë”, thotë shefi i diplomacisë serbe.
Për paralajmërimet nga Shkupi se Maqedonia do t’i ndjekë shumicën e shteteve të BE-së në lidhje me kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në UNESKO, Daçiq theksoi se përderisa Beogradi e ndjek qëndrimin e BE-së atëherë do të mund ta anulojë vendimin paraprak dhe ta njohë Maqedoninë me emrin që e shfrytëzon Brukseli, dhe ai është IRJM.
Daçiq paralajmëroi se për situatën e krijuar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të bisedojë me telefon me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Vet Daçiq do të bisedojë me homologun maqedonas Nikolla Dimitrov, ndërsa edhe kryeministrja Ana Bërnabiq do të ketë rast të bisedojë me Zaevin në një tubim ndërkombëtar të planifikuar për në ditët në vijim. /SHENJA/