Aktori i Hollivudit, Zachary Horwitz, i cili pranoi se drejtonte një skemë shumëmilionëshe të llojit Ponzi, u dënua me 20 vite burgim nga një gjykatë feredale amerikane.
Departamenti i Drejtësisë tha në një njoftim për shtyp se Horowitz mblodhi të paktën 650 milionë dollarë me pretendime false se paratë e investitorëve u përdorën për të marrë të drejtat e licencimit të filmave që HBO dhe Netflix, e që supozohej se kishin rënë dakord t’i shpërndanin jashtë vendit.
Sipas asaj që raporton CNN, përveç dënimit me 240 muaj burgim, aktori do duhet të paguajë më shumë se 230 milionë dollarë si dëmshpërblim.
Zachary Horwitz, 35 vjeç, u akuzua se kishte vendosur disa nga paratë e marra në llogaritë e tij personale dhe duke i përdorur paratë për blerjen e një rezidence personale prej rreth 5.7 milionë dollarësh, duke bërë disa udhëtime në Las Vegas dhe duke fluturuar me avionë me qira.
Me këtë skemë të ndjekur, duket se aktori hollivudian ka ndjekur ‘modelin’ e firmave piramidale në vendin tonë në vitin famëkeq të trazirave dhe dhunës së 1997-s, që erdhi si pasojë e falimentimit të rreth 25 firmave piramidale, vlera nominale e shifrës të cilën kishin grumbulluar ishte rreth 1.2 miliardë $.
Por, si nisën të funksiononin në vendin tonë firmat piramidale?
SKEMA PONZI U ZBATUA EDHE NË SHQIPËRI ME FIRMAT PIRAMIDALE NË ’97-N:
Veprimtaria e tyre nisi së pari në vitin 1991 dhe i pari që hapi një firmë piramidale ishte Hajdin Sejdia, asokohe këshilltar ekonomik i kryeministrit Fatos Nano. Pasi nisi punën për ndërtimin e një hoteli në Tiranë, u largua me disa miliona dollarë.
Vendi mbeti i hapur për themelet dhe për vite me radhë u njoh si Gropa e Hajdin Sejdisë. Pas kësaj disa kreditorë u likuiduan por shumica jo.
Sudja
Kjo firmë u krijua në vitin 1993 nga Maksude Kadëna e njohur si Sudja, rome që kishte punuar në fabrikën e këpucëve. Kjo firmë ekzistoi në gjysmë-ilegalitet deri në vitin 1996, kur dy javë para zgjedhjeve u regjistrua tek e njëjta gjykatë dhe gjyqtare ku u regjistruan Xhaferri dhe Populli.
Loja e parë mashtruese e Sudes, e quajtur Fitorja është pranuar si iniciativë personale e Xhaferrit. Sudja nuk kishte llogari bankare, prandaj me falimentimin e saj humbën edhe paratë e futura aty. Falimentimi i saj nxiti disa protesta në Tiranë, ku ishte edhe zona e saj e veprimit.
Pas 20 vjetësh, 12.991 kreditorë dhe qindra miliona lekë të arkëtuara; me anë të një padie depozituar në Gjykatën e Tiranës, më 18 dhjetor 2013 u pranua kërkesa për shpalljen e falimentimit të kësaj firme.
Vefa
VEFA Holding ishte firma kryesore piramidale. Ajo u krijua në vitin 1994 nga Vehbi Alimuça dhe u shtri në gjithë vendin. VEFA investoi në fusha të ndryshme të ekonomisë si hotele, karburante, dyqane dhe fabrika.
I njohur është atentati me bombë disa javë para zgjedhjeve të 26 majit 1996 tek supermarketi i VEFA-s në qendër të Tiranës. VEFA shihej shpeshherë si firma rentiere e PD. Ajo falimentoi në vitin 1998, kurse presidenti i saj ndodhet në burg.
Gjallica
Firma Gjallica u krijua nga 3 ish-efektivë të Sigurimit të Shtetit me origjinë nga Kukësi. Presidente e kësaj firme ishte Shemsie Kadria. Gjallica e kishte qendrën e saj në Vlorë.
Firma falimentoi më 5 shkurt 1997, duke nxitur protestat e dhunshme në Vlorë, që më pas u kthyen në rebelim kundër qeverisë.
Demokracia Popullore-Xhaferri
Kjo firmë u krijua në vitin 1995 dhe filloi të shtrinte veprimtarinë e saj në fshatrat e Lushnjes, Fierit dhe Beratit.
Zyrtarisht ajo ishte nje “fondacion” por në fakt u bë një nga firmat më të ashpra piramidale të vendit. Drejtuesi i saj, Rrapush Xhaferri u arrestua më 22 janar 1997, gjë që nxiti demonstratat e dhunshme të 24-25 janarit në Lushnje.
Populli
Kjo firmë u krijua më 16 korrik 1996 dhe u shtri në të njëjtat zona si edhe “Xhaferri”. Presidenti i saj ishte Bashkim Driza ish-agjent i Sigurimit të Shtetit.
Ai bashkëpunoi thellësisht me partitë opozitare shqiptare duke financuar fushatat dhe gazetat e tyre. Gjatë trazirave të vitit ’97, ai u largua me një helikopter amerikan.
ÇFARË ËSHTË SKEMA E PONZIT, ORIGJINA DHE SHENJAT PARALAJMËRUESE:
Skema e Ponzit është një mashtrim i cili ka ne thelb marrjen e parave nga kursimtarët apo investitorët. Për të joshur këta të fundit të “investojnë” ajo ofron norma të larta kthimi me rrezik tepër të ulët ose 0.
Më pas Skema e Ponzit procedon në të tillë mënyrë: Për t’i kthyer paratë investitorëve vjetër ajo përdor paratë e marra nga investitorët e rinj, për t’i kthyer paratë këtyre të fundit ajo merr paratë e investitorëve të tjerë që vijnë dhe kështu me radhë.
Është e ngjashme me një skemë piramidale në të cilën të dyja janë të bazuara në përdorimin e fondeve të investitorëve të rinj për të paguar mbështetësit e mëparshëm. Për të dyja skemat Ponzi dhe skemat piramidale, përfundimisht nuk ka para të mjaftueshme për të vijuar më tej, dhe skemat shpërbëhen.
Origjina e Skemës së Ponzit:
Skema e parë Ponzi famëkeqe u krijua nga një njeri i quajtur Charles Ponzi në 1919. Ponzi dërgonte agjentë të merrnin pulla postare jashtë vendit pasi çmimet e tyre luhateshin nga një vend në tjetrin. Më pas ai i shiste këto pulla shumëfish në vendin e tij.
Shenjat paralajmëruese të skemave të Ponzit:
Kthim të lartë me pak ose aspak rrezik;
Kthim tepër i qëndrueshëm;
Investimet e paregjistruara;
Strategji sekrete dhe komplekse (nuk japin informacion);
Klientët nuk mund të shohin dokumentet zyrtare për investimin e tyre;
Vështirësi në marrjen e pagesave.
Skema zbaton parimin e piramidës, e cila sa vjen e ngushtohet në majë për nga aftësia e saj për t’i rikthyer paratë kredituesve, derisa arrin kulmin në majë dhe rrëzohet!











