08 Janar
Zgjidhja e problemit që Greqia ka me emrin tonë kushtetues zuri vend në seancën e Qeverisë së vendit fqinjë. Kryeministri Aleksis Cipras tha se 2018-ta është e mbushur me shumë sfida, me ç’rast në politikën e jashtme e përmendi zgjidhjen e çështjes së emrit. Cipras para kabinetit të tij tha se çështja mund të zgjidhet nëse Maqedonia ka vullnet të sinqertë për të.
Ka dritare për zgjidhje, nëse vërtetohet se qëndrimi i fqinjëve tanë është i sinqertë, zgjidhje, e cila nëse arrihet do të jetë në dobi të paqes dhe bashkëpunimit të Ballkanit, por edhe në dobi të një dinamike të re për vendin tonë në rajonin më të gjerë. Gjatë ditëve të ardhshme do të vërtetohet sa është e mundshme të bëhen hapa esencial në këtë drejtim- deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.
Mediat greke shkruajnë se pas përfundimit të seancës qeveritare, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas raportohet ta ketë njoftuar në detaje kryeministrin Cipras dhe ministrat tjerë për qëndrimin e Greqisë në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Me ç‘rast Kocijas tha se pala greke mbetet në qëndrimin që ka pasur në vitet 2007 dhe 2008, që do të thotë se mbështet një propozim që do të përmbajë përcaktues gjeografik. Sipas Taneas dhe Kathimerinit, Kocijas tha se Greqia ka pozitë të guximshme dhe serioze në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Ndërkaq ish ministrja e jashtme greke, Dora Bakojanis tha se Qeveria e atjeshme po negocion për emrin e IRJM-së “në fshehtësi” dhe pa e informuar opozitën greke për shkak se po përpiqet të fshehë mungesën e një qëndrimi të përbashkët midis SYRIZAs dhe Panos Kamenos. Megjithatë ajo u shpreh optimiste për zgjidhjen e çështjes, duke besuar se edhe opozita do të marrë qëndrim konstruktiv pasi Qeveria të dalë me një qëndrim konkret. Ndërkohë në mediat tona po qarkullon një dokument jozyrtar, në të cilin thuhet se tashmë ekziston marrëveshje mes palëve. Kështu, shteti jonë do të quhet Republika e Maqedonisë së Re, ndërsa versioni i shkurtër i saj do të jetë Maqedonia e Re. Gjuha do të quhet Maqedonishtja moderne. Nacionaliteti do të jetë Maqedonasit e rinj. Kisha do të quhet Kisha e Re Pravosllave Maqedonase. Ndërsa sa i përket identitetit, qytetarët e vendit do të kenë emra të ndryshëm, edhe atë: Maqedonas (për përdorim të brendshëm), Maqedonas Etnik (për ndërkombëtarët) dhe Sllavomaqedonas (për grekët).
Anesa Salihu

