Lëvizja BESA vlerëson se është momenti i volitshëm që shqiptarët të thonë se nuk do të kishin dashur që emri i ri i shtetit të ketë ndonjë lidhje specifike me ndonjërën nga etnitë e këtij shteti. Ndërkaq. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se nuk duhet të ketë paragjykime se cili do të jetë versioni final i zgjidhjes dhe se kjo parti, do të merr qëndrim varësish prej propozimit të ndërmjetësit ndërkombëtar Metju Nimic.
Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, tha se shqiptarët duhet të jenë pjesë përbërëse e ekipeve që flasin për çështjen e emrit të shtetit, pasi sipas tij, bëhet fjalë për identitetin shtetëror dhe është shumë e rëndësishme që edhe shqiptarët të jenë të përfshirë në këto negociata.
Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA
“Lëvizja BESA e ka artikuluar qëndrimin e saj se në kohën që po bëhet ridefinimi i shtetit të ri, është koha e volitshme që edhe shqiptarët të thonë se nuk do të kishin dashur që emri i ri i shtetit të ketë asnjë lidhje specifike me asnjërën nga etnitë e këtij shteti. Domethënë po që se sot, partitë në pushtet ose kjo Qeveri, flet se po e ndërton një shtet të ri qytetar, atëherë shembulli më i mirë është që ata ta dëshmojnë veten duke e deetnizuar emrin e shtetit. Emri i shtetit të mos ketë asnjë lidhje me asnjë etni në mënyrë specifike”
Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, theksoi se ajo që është me rëndësi për momentin është krijimi i masave të mirëbesimit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërkaq sa i takon çështjes së versionit final të zgjidhjes, duhet të pritet propozimi i ndërmjetësit Nimic.
Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së
“Nuk mendoj se tash duhet të hyjmë me paragjykime se cili mund të jetë epilogu ose versioni final i zgjidhjes, ajo çfarë është me rëndësi është që të krijohen masat e mirëbesimit në mes dy shteteve, të krijohet një vullnet i sinqertë për t’u ulur dhe për të biseduar për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se kemi një shansë historike që 2018-ta të jetë viti i zgjidhjes së këtij problemi. Presim propozimin e zotri Nimic dhe varësisht prej atij propozimi do marrim pozicionin e partisë në këtë drejtim”
Ndërkohë, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë të interesuar dhe të fokusuar në përkrajen e çdo tentative politike dhe diplomatike në interes të integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.
Aleanca për Shqiptarët
“Kjo çështje duhet zgjidhur në interes të kompromisit të dy anshëm me Greqinë dhe konsensus të gjërë politik në Maqedoni mes forcave politike në vend. Është e vërtetë se Qeveria aktuale po lëviz në këtë drejtim dhe jep shpresë se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar kjo çështje e ndjeshme do të zgjidhet”
Nga Aleanca për Shqiptarët gjithasthu thonë se qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të ngelin jashta BE-së dhe NATO-s për shkak kontesteve të kontekstit për emrin, që për gjatë kohë ka bllokuar perspektiven eurointegruese të Maqedonisë. Ajnur Bafqari /SHENJA/

