02 Janar
Çdo dimër i njëjti tregim. Blloqet e kombinatit energjetik në Manastir ndërpresin prodhimin dhe kjo ndikon në importimin e rrymës në vend për t’u siguruar nevojat e amvisërive. Mbrëmë dhe sot kishte ndërprerje prej 15 orëve të bllokut të dytë për shkak të ndërprerjes së furnizimit ndihmës me energji. Nga ELEM informojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë problem serioz.
Ndërprerja u shkaktua mbrëmë në ora 19:57 dhe pas kontrollit të bërë është konstatuar se deri te ndërprerja ka ardhur për shkak të ndërprerjes së furnizimit ndihmës dhe kjo nuk është ndonjë defekt i madh teknik. Pas protokollit për konstatimin e shkakut të defektit, riparimin dhe kontrollimit të gjitha parametrave, për momentin bëhet startimi i bllokut dhe më së voni deri në ora 13 blloku i dytë do të kyçet në rrjetin e sistemit elektro-energjetik”- thonë nga ELEM-i.
Sipas profesorit Anton Çaushevski, ky nuk është problem teknik sa është problem investimi, pasi nevojiten shumë para për t’u mbajtur në punë tre blloqet që janë të vjetër më shumë se 30 vjet.
Patjetër të sigurohet qymyr dhe karburant por edhe të mirëmbahen në formë të mirë në 10-15 vitet e ardhshme. Ato mund të punojnë deri në vitin 2030-2035, por gjithnjë e më vështirë do jetë mirëmbajtja e tyre për shkak të vjetërsisë së pajisjeve- tha profesori universitar Anton Çaushevski.
Njëri nga tre blloqet e kombinatit tashmë një kohë më të gjatë nuk punon. Në vitin 2009 ELEM nënshkroi kontratë për revitalizimin e tre kazanëve për 90 milionë euro. Zëvendëskryeministri Koço Angjushev në intervistë për Magazinën Ekonomike para dy javësh tha se kazanët nuk punojnë sipas kapacitetit të planifikuar.
Për kazanin e parë është nënshkruar kontroll pranues, dikush ka konfirmuar se kazani është në rregull, ndërsa ai nuk është në rregull. Për kazanin e dytë, tashmë është ndryshuar udhëheqësia dhe nuk kanë dashur të nënshkruajnë, kështu që nuk është nënshkruar protokoll pranues, ndërsa paratë janë paguar. Edhe për kazanin e tretë janë dhënë para avans, ndërsa ende as që ka filluar të punohet në të- deklaroi zëvendëskryeministër Koço Angjushev.ë
Prodhimi i energjisë elektrikë në Kombinatin energjetik të Manastirit është ulur dukshëm në periudhën e kaluar. Nëse në vitin 2009 janë prodhuar 4200 gigavat orë, në vitin 2016 prodhimi i përgjithshëm është më pak se 3000 gigavat orë. Sa ka qenë prodhimi i kombinatit në vitin 2017 nuk mund të shihet duke pas parasysh atë se në raportet që i publikon MEPSO, tashmë disa muaj nuk ka të dhëna sa prodhon çdo kapacitet ndaras, por vetëm sa është prodhimi i përgjithshëm i termo dhe hidro energjisë në vend.
Mirko Trajanovski

