Alsat 2019-09-06T14:38:12+02:00
Problemi me mungesën e çerdheve për fëmijë do të tejkalohet atëherë kur krerët e komunave do të jenë më të përkushtuar në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ngritjen e objekteve të tilla. Ministrja e Punës Sociale Mila Carovska shfajësohet duke thënë se mungesa e çerdheve nëpër shumë komuna të vendit nuk është nga mungesa e vullnetit, duke shtuar se pushteti ka buxhet për investim në çerdhe, derisa komunat kërkojnë një gjë të tillë.
Secila komunë e cila ka shpreh interes, ka përgatitur projekt, ka urbanizuar pjesën ku duhet të ndërtohet ajo përfiton investim. Financiarisht i shërbejmë komunat për nevojat e tyre. Unë si ministër që nga shtatori 2017 dorëzova thirrje publike përmes formës së dokumentuar të shkruar deri te komunat që të shprehin interes për ndërtim të çerdheve si dhe për mbrojtje sociale. Nuk mund të keni ndërtim pa dokumentacionin e nevojshëm pa mos pasur projekt. Është shumë me rëndësi të thuhet se aty ku kemi kryetarë komunash të përkushtuar të cilët kujdesen për nevojat e qytetarëve aty edhe Qeveria investon, aty ku krerët e komunave nuk janë të përgatitur, nuk kanë dokumente të gatshme, aty nuk mundemi të kemi as ndërtim – deklaroi Mila Carovska, Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Për momentin shumë komuna, të banuara kryesisht me shqiptarë në territorin e tyre nuk posedojnë asnjë çerdhe të vetme. Ndër to është edhe komuna e Haraçinës, ajo e Zhelinës, komuna e Studeniçanit si dhe shumë komuna të tjera të cilat numërojnë mijëra banor. Këtë vit ka filluar ndërtimi i çerdhes në komunën e Sarajit, ndërsa projekte të gatshme për fillimin e punimeve posedon komuna e Tearcës, ajo e Vrapçshtit, e Çairit dhe komuna e Tetovës.
Si Qeveri gjatë dy viteve të shkuara, 50% të investimeve janë në mjedise rurale dhe në mjedise më pak inkluzive ndërsa gjysma tjetër e investimeve është në qytete. Kjo tregon për zhvillim të barabartë rajonal – tha Mila Carovska, Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Për vitin 2018 Ministria e Punës Sociale ndau 41,6 milion denarë për ndërtimin dhe nevojat tjera që kanë çerdhet.
Vjollca Aliti
Loading…



