Dy raste të mashtrimit me vlera të konsiderueshme monetare të shtetasve të huaj përmes ‘call center-ave’ nga Shqipëria, janë goditur brenda 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Rasti i parë u konstatua dhe godit në Tiranë, ku policia ka identifikuar ambientin, ku ishte vendosur ‘call center-i’ i paregjistruar, që mashtronte shtetasit e huaj, duke përfituar shuma të mëdha parash. Në pranga ra 31-vjeçari, Olti Ferhataj, i cili së bashku me tre shtetas të tjerë, mashtronin qytetarët, duke thënë se ishin agjentë burse dhe i bindin ata të investonin shuma të konsiderueshme për të blerë monedha elektronike. Rasti i fundit ishte një qytetar italian, i cili është mashtruar nëpërmjet telefonave për të investuar 108 mijë euro për të blerë kriptomonedha. Shuma nuk është derdhur në një ditë, por në muaj të ndryshme. Ferhataj i thoshte italianit se duke investuar paratë e tij, pasuria do t’i shumëfishohej.
Një operacion i ngjashëm u zhvillua edhe në Durrës paditen e djeshme, ku është goditur një rast i mashtrimit të qytetarëve përmes ‘call center-ave’, ndërsa në pranga ranë dy persona. Gjatë operacionit të koduar “Call me”, policia ka vënë në pranga shtetasit Frenk Lumi 26 vjeç dhe Desar Bano 42 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe ka sekuestruar dhjetëra pajisje kompjuterike. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Mirëpo, ky fenomen është përhapur në masë në vendin tonë, edhe pse disa kohë më parë, Policia e Shtetit do të ndërmerrte një superaksion në qytete të ndryshme, për t’i goditur këto biznese jolegale, të cilat nëpërpmjet mashtrimit, arrinin që të pëvetësonin vlera të mëdha monetare.
SI FUNKSIONON SKEMA E MASHTRIMIT DHE HETIMET E PROKURORISË:
Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palicencuara.
Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.
Kompanitë “call center” kryesisht marrin me qira ambiente të mëdha në zonat më të populluara në Tiranë, me qindra punonjës shqiptarë, kryesisht të rinj, që paguhen bazë nga 400-700 euro, por që paga e tyre mujore mund të arrijë deri në 3 mijë euro, në varësi të vlerës së investimit që arrijnë të marrin nga personat që bëhen pjesë e sistemit, pasi i kontaktojnë përmes një regjistri telefonik me numra të qytetarëve të një shteti përkatës.
Të përzgjedhurit janë kryesisht moshat e thyera, për shkak se mund të mashtrohen më shpejt dhe pa kërkuar shumë detaje që për vetë moshën janë deri duke të pakuptueshme. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se 11 kompani të ndryshme përdorin “Forex” në Shqipëri.
Qytetarëve u premtohet se brenda një kohe shumë të shkurtër, që për shembull në sistemin bankar duhet të presësh për vite, një investim i vogël fillimisht, do të dyfishohet për pak muaj, e kështu me radhë duke i shtuar shumat e investimit në varësi të premtimeve për fitime shumë më të mëdha në vlera.
Rrjeti FOREX ofron mundësinë për t’u futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj., të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë. Në një rrjet të ligjshëm e të licencuar kushdo që arrin rezultatin e dëshiruar, mund ta tërheqë fitimin e ta mbyllë llogarinë.
DISA NGA AKSIONET E BUJSHME TË POLICISË SË SHTETIT NDAJ CALL-CENTER-ave:
Në muajin nëntor të 2021-t, Policia e Shkodrës arrestoi 8 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë pas një operacioni të kryer në një prej Call Center-ave në qytet. Burime zyrtarë bëjnë me dije se arrestimet janë kryer pas denoncimeve nga shtetas të huaj se ishin mashtruar përmes platformave të ndryshe online nga ky Call Center. Personat e bënë ne pranga janë kryesisht vajza, si menaxhere dhe punonjëse të këtij Call Centeri që mashtronte qytetarët e shteteve të Bashkimit Europian duke iu premtuar se do të investonin në Forexl Kriptomonedha apo në gjoja bursa. Ndërkohë në kërkim janë shpallur tre persona, njëri prej tyre,27 vjeç me shtetësi polake si edhe bashkëjetuesja e tij. Polaku ishte edhe organizatori i grupit, i cili sipas policisë kishte siguruar infrastrukturën për kryerjen e mashtrimeve me vlera të mëdha. Sipas Policisë, këta shtetas, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga shtetasi polak P. W., i cili kishte rekrutuar si menaxherë shtetasit shqiptar Y. D., K. M. dhe N. T. Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pronari i kompanisë “call center” “RG Capital” me qendër në Tiranë, Refael Genish, u arrestua nga Policia shqiptare. Bashkë me këtë shtetas izraelit u arrestuan 35 persona të tjerë, ndërsa që 20 janë në kërkim. Aktiviteti i kësaj kompanie dhe i të arrestuarve dyshohet se është mashtrimi i afro 2 mijë qytetarëve në Evropë, nga 2 milionë sa janë kontaktuar nga ky grup. Mbi 2 milionë shtetas në Evropë të kontaktuar, ku 2 mijë prej tyre janë arritur të mashtrohen – ky është bilanci i aktivitetit të kompanisë “call center” “RG Capital” me qendër në Tiranë. Genish dyshohet se organizoi një veprimtari në fushën e “call center” në Shqipëri, përmes kompanisë tij “RG Capital”. Në hetimet e kryera nga Njësia e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit në Shqipëri dhe Prokuroria e Tiranës, u arrit në arrestimin e 35 personave, ndërsa 20 të tjerë janë në hetim. Ata kanë kontaktuar më shumë se dy milionë qytetarë evropianë, 2 mijë prej të cilëve janë arritur të mashtrohen.
Më herët, nëpërmjet kërkesave të Gjermanisë, në Kosovë u goditën disa qendra call center që merreshin me mashtrim. Kryesori në këtë skemë, si pjesë e një grupi kriminal , është identifikuar dhe më pas arrestuar disa javë më parë në Kavajë nga Policia shqiptare. Policia e Kavajës në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, Interpol Tirana, FAST Kosova dhe FAST Albania arrestoi më 2 tetor të këtij viti, 33-vjeçarin, Andi Fosa, nga Kavaja me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë, ku është i implikuar në veprimtarinë kriminale të mashtrimit me anë të “call center-ve” të disa shtetasve gjermanë. Fosa ishte në kërkim ndërkombëtar dhe me “call center”-in e tij dyshohet të ketë përfituar rreth 30 milionë euro. Ai ishte në drejtimin e një grupi kriminal që kishin përfituar vlera të mëdha monetare, duke mashtruar për 3 vjet qytetarët gjermanë me lotari online. Nga një operacion që ishte zhvilluar në Prishtinë, në mars të këtij viti në bashkëpunim të Policisë së Kosovës dhe asaj gjermane, në banesën e Fosës ishin sekuestruar mbi 2 milionë euro. Nga aksioni i muajit mars u arrestuan 18 persona pasi kishin bashkëpunuar me Andi Fosën.
CALL CENTER-AT FX DHE OPSIONET BINARE NË SHËNJESTËR NGA AUTORITETET LIGJORE NË MBARË BOTËN:
Call center-at FX dhe opsionet binare janë vënë shpesh në shënjestër nga autoritetet ligjore në mbarë botën. Ato janë ndaluar në SHBA dhe BE për shkak se humbjet e investitorëve të pasofistikuar arrijnë në miliona euro përmes skemave mashtruese.
Më e ashpër në luftën kundër agjentëve të opsioneve binare ka qenë SHBA, duke arritur edhe një marrëveshje prej 11 milion dollarë me “Banc de Binary”. Por Europa ka qenë më pak e suksesshme në këtë luftë duke vendosur kryesisht gjoba për call centerat.










