Hamdi Nuhiju
Po e lexoj Branen dhe idenë e tij për babain e qytetit. Si duhet të jetë babai i qytetit? Kush duhet të jetë baba i qytetit? Pse duhet qyteti të ketë baba? Te asnjëra prej pyetjeve Branja nuk dha përgjigje. Ai foli edhe për idenë e rafinuar si shenja në rrugë që do të identifikonin babain e qytetit.
Qyteti i Kumanovës ka nevoja të mëdha, sipas Branës. Atij i duhen shkolla, edhe pse ka shkolla. Por Branja harroi të përmend çerdhet! Lulishtet, kopshtet, fabrikat, erëzimin e përrallat e nxjerra si në ëndrra nga Bagëti e Bujqësi. Nëse Shkupi dikur kishte Mëhallën e grave që është piketuar e shënjestruar nga shkrimtari Kim Mehmeti, Kumanova duhet të rikthej në shina zonën industriale.
Branja foli për gjithçka, e harroi zonën industriale. Por ajo që është me rëndësi për opinionin është se Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së dhe kryetar i degës në Kumanovë filloi të flas. Kur do të filloj të flas Elmi Aziri, Safije Sadiku Shaini, Arbër Ademi e Berat Ajdari? Apo ndoshta lufta në Kumanovë është midis Branes e Martinit? Kumanova është e tyre? Dilni në mitingjet e juaja në zgjedhjet lokale dhe thoni haptas, Kumanova është e Branes dhe Martinit, nëse keni aq guxim.
Nëse e pi një çaj të rafinuar dhe gëlltit një ide të rafinuar nuk d.m.th. se ke arritur kënaqësinë maksimale që duhet ta arrish gjatë tërë karrierës tënde.
Branja dha shumë ide dhe zgjidhje për Kumanovën. Me siguri idetë dhe zgjidhjet e tij nuk përfshijnë Lagjen e trimave, lagjen Dardania, Skenderbeu, Bajram Shabani, e lagjet ku gravitojnë shqiptarët në këtë qytet. Sepse edhe Branja është i vetëdijshëm se prej atyre lagjeve nuk ka pasur mundësi të marr asnjë votë, nuk ka pasur mundësi të shndërrohet në zë të tyre, se e di se zë i atyre lagjeve duhet të janë deputetët e lartcekur.
Një gotë çaj i rafinuar, ta zgjatë jetën, thonë mjekët. Idetë e rafinuara për qytetin janë melhem i pashtershëm. Këtë e di edhe Elmi Aziri dhe deputetët tjerë. Por në skenën e Kumanovës vijnë vetëm në kohën e zgjedhjeve parlamentare. Në zgjedhjet lokale zakonisht nuk kanë zë, nuk kanë ide dhe as interes se si duhet t`i zgjidhin problemet e qytetarëve.
Kumanovarëve i duhet zëri i përgjithshëm. Jo gjysmë zëri i Branes dhe Martinit. Zërat e tyre nuk janë të mjaftueshëm për të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Zgjidhjet e tyre sado që duken mirë në profil, në thelb dhe esencë janë getoizuese për shqiptarët dhe etnitë jo maqedonase në Kumanovë.
Edhe pse është vonë për Kumanovën, për deputetët shqiptarë nuk është vonë. Zgjohuni nga gjumi dhe filloni të punoni secili në terren për të gjetur zgjidhjet më të duhura për problemet e qytetarëve që ju kanë votuar. Garoni me ide kreative, e jo me përralla e histori luftërash dhe rrëfime të tipit na ishte njëherë e një kohë…