Banorët e fshatit Gërçeç të komunës së Sarajit po përballen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, duke shkaktuar probleme serioze në funksionimin e përditshëm të amvisërive dhe dëme materiale.
Sipas informacioneve nga terreni dhe dyshimeve të banorëve, problemi mund të lidhet me kapacitetin dhe gjendjen funksionale të trafostacionit kryesor shpërndarës TS 35/10 kV „Saraj“, përmes të cilit furnizohet kjo zonë.
Banorët dyshojnë se njëri nga transformatorët energjetikë mund të jetë jashtë funksionit ose në servis, duke bërë që transformatori tjetër të mos përballojë ngarkesën.
Për këtë arsye, ata kërkojnë nga EVN Maqedoni një përgjigje zyrtare dhe sqarim të menjëhershëm lidhur me shkakun e ndërprerjeve, gjendjen e transformatorëve dhe kohën kur pritet të normalizohet plotësisht furnizimi me energji elektrike.
Banorët e Gërçecit paralajmërojnë se durimi i tyre po mbaron dhe se, nëse kompania nuk reagon në kohë dhe nuk e stabilizon furnizimin, do të detyrohen të ndërmarrin hapa juridikë dhe të ngrenë padi ndaj EVN-së për mos përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe dëmet e shkaktuara.



